Nga Parlamenti Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së akuzoi LSI-në si partia që ka bërë shitblerje votash në zgjedhje. Në një dalje për mediat, ish kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha se partia e tij dhe PD janë të vetmet që kanë denoncuar këtë fenomen, dhe këtë e thotë edhe raporti i OSBE-ODIHR.
“Sot jam përpara jush për të qartësuar njëherë e përgjithmonë me shqiptarët se çfarë është ky Parlament e për çfarë duhet të përgjigjet. Në radhë të parë ky është një Parlament dhe Rilindja e cila e ka zaptuar atë forcërisht, në kundërshtim me Kushtetutën dhe çdo gjë tjetër, është produkti më i shëmtuar dhe i neveritshëm i shitblerjes së votës në këtë vend. Këtë nuk e thotë thjesht dhe vetëm opozita, këtë e thotë raporti i OSBE/ODIHR, i cili nënvizon qartë se vetëm LSI dhe PD denoncuan qartë shitblerjen e votës nga Partia Socialiste, dhe nuk ka asnjë rresht apo paragraf që të provojë të kundërtën për këtë gjë. Të njëjtën gjë pohon raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili i vë damkën zgjedhjeve si zgjedhje të cilat u karakterizuan nga shitblerja e votës. Dhe duke iu referuar sërish raportit të OSBE/ODIHR kemi pikërisht ata që shitën dhe blenë votën, të cilën përfundimisht e nxjerr sheshit dosja 339”, tha Vasili.
Ai tha më tej se drejtësinë në për paratë e vjedhura dhe votat e vjedhura do e vendos populli, duke bërë thirrje për protestën e pasdites në akset kryesore të vendit. “Ndaj të gjithë së bashku duhet të jemi sot pasdite në mbështetje të të rinjve tanë te Kuvendi, anë e mbanë Shqipërisë sepse koha për ta shpëtuar Shqipërinë është sot. Dhe koha nuk pret, pasi Shqipëria duhet të kthehet sërish shtëpia e shqiptarëve dhe të mos jetë një vend i cili përzë shqiptarët jashtë atdheut të tyre. Por Shqiptarët të rrinë këtu të marrin fatet e tyre në dorë dhe të çojnë pas hekurave ata që janë fajtorët e mëdhenj të plaçkitjes, varfërimit dhe shkretimit të këtij vendi”, tha Vasili.
