Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së Taulant Balla reaguar pasi kreu i PD Lulzim Basha, akuzoi dhe kërcënoi gjyqtarin Kastriot Gramshi dhe prokurorët e çështjes ‘Babale’ se nuk do t’ia hedhin paq dhe se PD do ia bëjë vetë vettingun e tyre.
Me anë të një postimi në Facebook, Balla e quan Bashën gojëprishur dhe gojë shthurur, ndërkohë që pretendon se tani që erdhi dita e gjykimit ky i fundit ka nxjerrë kokën e hallit që e ka zënë duke kërcënuar dhe refuzuar drejtësinë.
Balla i ka publikuar Bashës foton ku shihet krah Lavdosh Demajt, njërit prej të arrestuarve të ditës së sotme në Elbasan për akuzën e trafikimit të drogës, teksa shprehet se i arrestuari është mik i kreut të PD.
Reagimi i plotë i Ballës:
I dënuari penal Lulzim Basha, i gjetur fajtor për gojën e shthurur me vendim gjykate, vijoi sot të vetë-mbytet në çorbën që vetë gatoi me babale&co. Tani që erdhi dita e gjykimit, ky gojë-prishur e paska nxjerrë kokën e hallit që e ka zënë, duke kërcënuar dhe refuzuar drejtësinë.
I bindur se del humbës në zgjedhje sepse shqiptarët nuk mund të besojnë të ardhmen e tyre tek Luli&co, opozita po tenton të bëjë gjithçka vetëm e vetëm për të destabilizuar vendin, pasi ata vetë janë të qartë se përmes votës nuk mund të vijnë në pushtet.
Frika më e madhe e Lulit është zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingut, pasi drejtësia e re e pavarur që po krijohet nuk do të pyesë se kush je, sa para ke, apo çfarë pozicioni politik ke.
Forca e Ligjit do të vijojë të godasë fort dhe pa kompromis, sikurse u godit krimi dhe sot në Elbasan. Siç raportojnë mediat Policia e Shtetit ka realizuar me sukses një operacion antidrogë, nga i cili janë shoqëruar mbi 10 persona me precedentë penalë, të paktën njëri prej tyre mik i Lulit.