Mazhoranca është në dilemë se çfarë do të duhet të bëjë me nismat e depozituara nga deputetët e opozitës. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend janë ngritur një sërë shqetësimesh , mes të cikave edhe procedura për nismat ligjore të ndërmarra nga deputetët e opozitës. Mes tyre ka qenë edhe deputetja Milva Ekonomi, e cila ka ngritur e para shqetësimin, raporton tirananews.al. Por menjëherë në mbledhjen me dyer të mbyllura ka reaguar kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili ka ironizuar duke thënë se znj. Ekonomi është deputete e re. Ai ka sqaruar se përsa kohë ata nuk janë më ligjvënës, edhe kjo e drejtë për të propozuar nisma legjislative bie.
Pjesë nga debati
Senida Mesi – Mirëmëngjesi të gjithëve. Në lidhje me projektligjin “Për gjuetinë” që
është propozim i tre deputetësh, dhe komisioni për Integrimin Europian është komision për
dhënie mendimi, mungon pasqyra e përputhshmërisë që ne e kemi detyrim në lidhje me ligjet,
kur në to bëhet fjalë për përafrim të legjislacionit më Bashkimin Europian. Nuk jam e qartë se
si duhet të procedojmë në momentin kur është nisëm e deputetëve. Kur është nisëm dhe
propozim i Këshillit të Ministrave, sigurisht që Parlamenti ja ka kërkuar gjithmonë Këshillit të
Ministrave tabelën e përputhshmërisë, kurse në rastin konkret mungon. Nuk e di nga
eksperienca Juaj e mëparshme si e keni zgjidhur një problem të tillë?
Gramoz Ruçi – Në raste të tilla nuk do i çohet Qeverisë. Ju keni një drejtori në
Kuvend, që është drejtoria e Përafrimit të Legjislacionit në komisionin përkatës. Do t’i
adresoheni zotit Dedë Kasneci, drejtorit të shërbimit, dhe Ai të përgatisë dhe të japë mendim
komisionit për përputhshmërinë e nismës.
Milva Ekonomi – Mirëmëngjesi! Nuk kam një pyetje direkt për kalendarin, por kam
pyetje të lidhur me kalendarin. Në komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik
kemi diskutuar në parim një nisëm që ka ardhur nga Grupi Parlamentar i LSI-së, për ligjin e
arsimit të lartë. Ndërkohë në komision në kalendarin e mëparshëm janë depozituar dy nisma
që kanë ardhur nga deputetët e LSI-së, si duhet të veprohet në këtë rast, t’i përfshijmë në
kalendar apo t’i lëmë ……….
Taulant Balla – Zonja Ekonomi është deputete e re. Ju informoj se, të gjitha nismat
të propozuara nga deputetë që kanë dhënë dorëheqjen nga mandati nuk qëndrojnë më dhe nuk
janë pjesë e punës së Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e përcaktojnë qartë që,
kur propozuesi nuk është më pjesë e parlamentit të gjitha këto projektakte të propozuara nga
deputetë që nuk e gëzojnë më mandatin e deputetit, nuk janë më pjesë e shqyrtimit të punës së
komisioneve dhe seancave plenare.
Vasilika Hysi – Faleminderit zoti Kryetar! Komisioni i Ligjeve ka përfunduar së
miratuari Rezolutën “Për njohjen dhe mbështetjen e veprimtarisë së mbrojtësve të të drejtave
të njeriut, në promovimin, nxitjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore,
forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e demokracisë”. Nëse është e mundur do të
sugjeroja të përfshihej në rendin e ditës që kemi këtë javë. / tirananews.al