Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka shpërthyer në kritika ndaj vendimit të drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi për blerjen 1.8 milionë euro të kompeticioneve të futbollit, Champions League dhe Europa League.
Për Ballën një shpenzim i tillë është i pavlefshëm dhe hynë në sektorin e qejfit. Sipas tij, TVSH nuk mbulon ende me sinjal gjithë Shqipërinë dhe për këtë arsye ai tha se këto para duhet të ishin shpenzuar për investime në këtë drejtim. Ndërkohë, që ka kritikuar drejtorin e RTSH-së, THoma Gëllci për shpenzime marramendëse.
“Dua t’i tërheq vëmendjen Televizionit Publik Shqiptar për shpenzime të pavlefshme që lidhen me blerjen e ndeshjeve të Champions Ligës, UEFA Liges, me vlera marramendëse do t’i quaja. Nuk di pse duhet të harxhojë 1.8 milionë euro Televizioni Publik Shqiptar për të blerë ndeshjet e Champions Ligës, të cilat hyjnë në sektorin e qejfit. Shqiptarët jetojnë më mirë po nuk e panë Champions Ligën, shqiptarët jetojnë edhe më mirë madje po nuk e panë UEFA Ligën. Unë nuk mund të toleroj, me këto para mund të ishin blerë sisteme transmetimi që të mbulohej me sinjal çdo cep i territorit.
Unë jam deputet i zonës time në radhë të parë, para se të jem Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së dhe i kam pa fund çdo vit SMS-të, aneksat nga banorët që mezi presin që të investohet. 1.8 milionë euro të shpenzuara për Champions Ligën dhe UEFA Ligën dhe 40 mijë euro një ndeshje futbollit, as e para as e dyta, por e treta në renditje nuk besoj se janë një shpenzim që i bëjnë nder TVSH.
Nuk ka asnjë Televizion Publik Shtetëror, as BBC as Rai, as ERT në Greqi, që të marrin dhe të harxhojnë para për këtë gjë. Ne duam që Televizioni Publik në kohën e Pandemisë u bë një transmetues i domosdoshëm për mësimin, do doja që ky të vazhdonte edhe gjatë sezonit të verës, të gjithë e pranojmë që ky ka qenë një vit shkollor shumë i vështirë me dy ndërprerje të zgjatura në kohë, një pas tërmetit dhe një që prej fillimit të pandemisë.
Ajo traditë e transmetimit të pandemisë ishte shumë e mirë me vlerë zero si shpenzim, në kuptimin e produksionit të atij transmetimi, por nuk mendoj që ne si Kuvend duhet të duartrokasim këshillin e RTSH, i cili me një vendim qarkullues ka miratuar 1.8 milion euro që të shkojnë për këto shpenzime”, theksoi Balla.