Partia Socialiste ka reaguar për herë të parë zyrtarisht lidhur me largimin nga grupi parlamentar të deputetes 26-vjeçare Marjana Koçeku.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se deri më tani Koçeku nuk ka paraqitur asnjë njoftim zyrtar për largimin e saj. Sipas tij, deputetja nuk është kontaktuar pasi telefoni i saj rezulton i fikur dhe nuk ka pasur komunikim me drejtuesit e grupit parlamentar.
“Unë jam bariu i grupit të PS, tani ju më pyesni, unë s’kam as njoftim nga ajo. Kur pashë statusin, e mora në telefon, e kishte fikur, s’kam komunikuar. Megjithatë secili ka vendimmarrjen e vet. Është nder i madh të jesh anëtar i Kuvendit. Por le ta provojnë njëherë këta pa trëndafilin e grushtin si dalin. Kisha një mik, kaubojsin, kështu thoshte, kur doli vetë e pamë si doli”, tha Taulant Balla.
Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se PS nuk shqetësohet nga largimi i Marjana Koçekut dhe nuk e konsideron atë një gabim të kryeministrit Edi Rama.
“Me të vërtetë mendoni që do të bëj analizë për një deputete që as ka qenë anëtare e PS-së, por është bërë deputete? Ç’mendoni? Edi Rama ka shumë merita, i ka mbajtur dyert hapur për kontribute. Ne kemi koalicion me qytetarët”, deklaroi Balla.
Ai komentoi gjithashtu edhe pretendimet e Koçekut se është kërcënuar nga Bajrat e Shkodrës, duke i krahasuar ato me akuza të ngjashme të bëra në vitin 2021 nga Gazment Bardhi ndaj Sali Berishës dhe Flamur Nokës për lidhje me Suel Çelën.
Balla theksoi se çështja duhet të sqarohet nga organet kompetente, të cilat sipas tij duhet të hetojnë pretendimet e ngritura.
“Kërcënimet janë vepër penale, ashtu si moskallëzimi i krimit. Më kujtojnë kohën kur në 2021 Bardhi akuzonte Berishën e Nokën se ishin takuar me anëtarë grupesh kriminale në Elbasan. Pra s’është rasti i parë në politikë. Por absolutisht është e papranueshme. Duhet një hetim paraprak, i bëj thirrje Prokurorisë së Shkodrës të nisë hetim”, u shpreh më tej Balla.
Të njëjtin qëndrim kanë dhe kolegët socialistë për Koçekun. Deputetja e PS, Bora Muzhaqi, në një lidhje për ABC News kishte një këshillë për neomalsoren.
“Marjana duhet të shpjegohet për deklaratat, t’i referojë te organet kompetente. Është vendim personal i saj. Shpresoj të jetë mirë mendërisht dhe emocionalisht”, tha deputetja Muzhaqi.
