Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka pritur në një takim ditën e sotme Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Lóránt Balla.
Balla e ka bërë të ditur këtë takim përmes një statusi në “Facebook”, ku thotë se Hungaria është një mike e mirë e Shqipërisë si dhe mes dy vendeve gjatë viteve të fundit është intensifikuar bashkëpunimi ekonomik.
Ndërkohë, edhe Ambasadori hungarez në Tiranë, Lóránt Balla, konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e Hungarisë në procesin e negociatave dhe mbajtjen në Qershor të Tryezës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
“U takova me Ambasadorin e Hungarisë zotin Lóránt Balla. Hungaria është një mike e Shqipërisë, dhe të dy vendet tona kanë lidhje historike dhe miqësi tradicionale. Gjatë viteve të fundit është intensifikuar bashkëpunimi ekonomik, duke u konkretizuar me prezencë të rëndësishme të kompanive hungareze në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Banka OTP në sektorin bankar dhe kompania 4iG e cila tashmë zotëron One Telecomunication dhe Albtelekom, janë shembuj konkretë të prezencës së sipërmarrjes hungareze në Shqipëri.
Ambasadori Balla rishprehu mbështetjen e Hungarisë në procesin e negociatave dhe mbajtjen në Qershor të Tryezës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE. Marrëdhëniet dypalëshe janë shumë të mira. Hungaria mban zgjedhjet e përgjithshme parlamentare këtë të diel.
Ne vlerësojmë mbështetjen e Hungarisë dhe të vendeve të Grupit Vishegradit për mbështetjen e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor”, deklaron Balla.
