Ish-kryeministri Sali Berisha ishte sot i pranishëm në tryezën e organizuar nga aktivistë të shoqërisë civile, ku u realizua diskutimi me temë “Shqipëria në rrezik. Ç’duhet të bëjmë?”.
Ndërsa akuzoi Ramën se po shpërfill çdo interes qytetar, të grupeve të interesit apo edhe kombëtar, kreu aktual i PD-së bëri thirrje për bashkim të frontit opozitar kundër “regjimit të kryeministri Edi Rama”.
“Jeni përballur me një regjim i cili si fakton çdo ditë, nuk përfill në këtë vend asgjë për veç interesave të ngushta të qeveritarëve dhe Edi Ramës. Në këtë vend, zëri i komuniteteve, zëri i grupeve të interesit, Zëri i opozitës, gjithçka shumëzohet me zero dhe është zëvendësuar me variantin më të tragji komik me fletushkat që plotësohen në zyrat e Partisë Socialiste si opinione të qytetarëve. Një formë kjo e shëmtuar e tiranëve absolutë të cilët në dekada e shekuj zgjedhjet e lira i zëvendësojnë me takime me 10 dhe 15 vetë sikur marrin mendimin e popullit. Ky merr vetëm mendimin e zyrave të partisë së tij. Edi Rama sillet në këtë vend në disa aspekte individuale si asnjë zyrtar i lartë në historinë e këtij vendi. Edi Rama me vendimet që merr dëshmoi se shpërfill çdo interes qytetar të grupeve të interesit apo kombëtar. Imagjinoni ju për projektin më të madh kombëtar të shqiptarëve, projekti i Shqipërisë në familjen e kombeve të zhvilluara europiane, ky zotëri me një kurajo të jashtëzakonshme nxjerr në treg këtë projekt dhe pa marrë mendimin e askujt e zëvendëson me projektin e Ballkanit të Hapur, projekt i hegjemonisë serbe në rajon dhe influencës ruse në rajon. Pas 30 vitesh pritshmëri për t’u vendosur aty ku e kanë vendi si komb perëndimor, sot nuk thuhet si 30 vite më parë që nuk jemi as lindje as perëndim por thuhet edhe sot se do ta konsiderojmë iniciativën e Macron nga pozitat e Ballkanit të Hapur. Paraqitet Ballkani i Hapur si një front lufte. Si alternativë që Serbia të mos shkojë në luftë. Asnjë vend në botë nuk na sulmon ne pa u përballur me NATO nëse nuk sulmojmë ne para. Ne për interesa të Vuçiç duhet të merrnin vendimin dje që të mos shkohej në Bruksel dhe duhet të merrej sot për të shkuar për të përfaqësuar Ballkanin e Hapur. Nuk është luajtur më shumë Ballkanin e Hapur se në këtë periudhë”, tha Berisha.