Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i është përgjigjur akuzave të Kryeministrit Edi Rama. Në një reagim në mediat sociale, Tabaku shkruan se Rama duhet të mbajë premtimin për familjet dhe bizneset e goditura nga kriza e të mos sulmojë opozitën. Ish-deputetja shprehet se akuzat e fyerjet e Kryeministrit nuk mbushin xhepat e boshatisura të shqiptarëve.
“Fatkeqësi për shqiptarët që KM në vend që të marrë masa për të kryer pagesat që ka premtuar për familjet dhe bizneset e goditura, harxhon gjithë kohën duke sulmuar opozitën. Fyerjet e KM nuk mbushin xhepat e boshatisura të shqiptarëve. Boll i lodhe njerëzit me gënjeshtra”, shkruan Tabaku në Twitter.
Më herët kreu i qeverisë i ftuar në një lidhje direkte me emisionin “Open” në Top Channel, quajti deklaratat e PD “Balona Tabake”. “Kam dëgjuar sot me keqardhje që Balona Tabake e PD-së është ngritur lartë me një balonë budallëqesh sikur drejtoria e Tatimeve ka refuzuar shumë nga punonjësit që u është premtuar paga e luftës”, ishte kjo deklarata e Ramës.