Pronari i banesës që ishte kthyer në bazë furnizimi me mjete për grupet kriminale me qëllim kryerjen e krimeve, ka pranuar gjithçka çfarë u gjet në këtë shtëpi në Fushe-Kuqe të Kurbinit. 40-vjeçari Aleks Lulashi thotë se prej shumë vitesh blinte dhe shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale.
Banesa e vjetër shërbente si magazinë, pasi 40-vjeçari bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes jetonin në një shtëpi pak metra më larg. Deri në këtë fazë hetimesh policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës nuk ka arritur ende të identifikojë personat për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Aparati celular i Lulashit i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale do të ekzaminohet për të parë komunikimet që mund ketë patur, çka mund të ndihmojë në zbulimin e personave që ai bashkëpunonte.
