Ndryshojnë komisionet për depozitimet dhe tërheqjet në para të thatë, kesh, në një prej bankave më të mëdha të vendit. Njoftimi i bankës është dërguar nëpërmjet një mesazhi në celular, ndërsa nuk gjendet në faqen zyrtare të bankës tregtare. Sipas ligjit për bankat, kur ndryshojnë kushtet e punës, ato duhet të bëhen publike. Pas kësaj klientët e një banke mund të jenë pjesë e saj, ose të ndryshojnë subjektin nga marrin shërbimin. Bardhi Sejdarasi ka përgatitur materialin në vazhdim.
Një SMS e dërguar rëndom në
numrin privat të celulareve të klientëve të një prej bankave më të mëdha
tregtare në vend, ka lajmëruar se duke filluar nga data 2 shtator do të
ndryshojnë komisionet në tërheqjen dhe depozitimin e kursimeve.
Ndryshimi është i ndjeshëm dhe duket se prek pothuajse të gjithë klientët e
bankës që marrin shërbime në sportelet e saj, por edhe institucionet që
paguajnë pagat nëpërmjet këtyre sporteleve.
Rregullimi i marrëdhënieve mes klientit e bankave tregtare është një çështje
ligjore që zgjidhet nëpërmjet kontratave individuale bankë-klient.
RTSH i kërkoi bankës tregtare nëpërmjet shërbimit të saj call centër një
shpjegim për këtë nismë të bankës, që sigurisht është në të drejtën e kushteve
të saj të punës me klientët. Ne nuk gjetëm në faqën zyrtare të bankës pikërisht
njoftimin për këtë ndryshim tarifash. Banka tregtare në fjalë nuk u përgjigj
kërkesës, por kërkoi vetëm gjeneralitetet e gazetarit që u interesua për
dukurinë.
Gjithsesi në web-in zyrtar, në kutinë “tarifat dhe kushtet”, gazetarët nuk
gjetën njoftimin me sms të bankës.
Në një njoftim të mbërritur në redaksi vihet re se për tërheqjet nga llogaria
personale e individit dhe biznesit për shumat nga 50 mijë lekë deri në 500 mijë
lekë komisioni nga zero lekë bëhet 150 deri 500 lekë. Mbi këtë kufi shume,
komisioni bëhet 1500 lekë.
E njëjta shumë paguhet edhe në rast se klienti depoziton kursimet e tij në këtë
bankë tregtare, pra nga zero lekë aktualisht, në 2 shtator të këtij viti
paguhet nga 100 deri në 1200 lekë.
Edhe depozitat kundrejt individëve dhe palëve të treta, komisionet ndryshojnë
nga 125 lekë në 350 lekë dhe nga 250 lekë në 450 lekë.
Ky ndryshim, apo dyfishim i tarifave ka krijuar një lloj paqartësie të klientët
e bankave, individe apo biznesë për sa kohë ata nuk gjejnë shpjegimin ligjor në
faqen zyrtare të bankës. Edhe në Shoqatën Shqiptare të Bankave nuk ka një
shpjegim. Jashtë mikrofonit të RTSH autoritetet thonë se kjo është çështje e
kushteve të punës së çdo banke tregtare. Shpjegimet e paplota kanë krijuar paqartësi
të klientët e bankave tregtare, që po shohin si alternativë ndryshimin e
subjektit bankar.