Lionel Mesi mund t’i japë lamtumirën Barcelonës në fund të këtij sezoni, por për momentin, argjentinasi duket se po bën maksimumin për t’u kthyer në nivelet e tij të zakonshme dhe për të rishfaqur ekipin katalans si një pretendent të fortë për titullin në Spanjë, ku ndjek nga distanca dy skuadrat madrilene. Sot, me Mesin në një ditë të mirë, Barcelona ka fituar 3-0 ndaj Vajadolid, duke ngushtuar paksa diferencën me kreun, por mbi të gjitha duke treguar se nuk ka harruar lojën e bukur.
Mesi dhe Pedri ishin të pandalshëm në duelin e sotëm, duke krijuar raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare e duke iu afruar disa here golit në një ndeshje ku edhe Vajadolid nuk ngurroi të vizitonte zonën e Ter Shtegen. Lengle me asist të Mesit dhe Breithuejt, ishin ata që vulosën rezultatin 2-0 që në pjesën e parë të sfidës, ndërsa në të dytën, argjentinasi vetë çoi topin në rrjetë pas një kombinimi të shkëlqyer me Pedri.
Katalanasit mund të kishin shënuar edhe gola të tjerë por në fudn Kutinjon dhe Mesin i ndali shtylla e portës së vendasve, ndaj ndeshja u mbyll vetëm me shifrat 3-0. Një fitore bindëse më në fund për skuadrën e Kuman që po kalon mes shumë dritëhijesh në këtë edicion. Por me një Mesi në forme të tillë, gjithçka duket përsëri e mundur për katalanasit.
