Sekretari i Përgjithshëm dhe deputeti i PD-së Gazment Bardhi, ngriti akuza të forta dhe hije dyshimi mbi integritetin e Gjykatës Kushtetuese. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shtyrë seancën, me pretendimin se duhet të ketë autorizim të përfaqësuesit ligjor Marash Logu nga 28 deputetët që kanë firmosur padinë për VKM për konfiskimet. Bardhi deklaroi se GJK ka rënë pre e mesazheve mafioze të kryeministrit Edi Rama në Twitter.
“Jemi përfaqësuar me të njëjtin autorizim, ka një shantazh të drejtpërdrejtë nga ana e kryeministrit, gjykata po bëhet vegël. Është anti-kushtuese, gjykata e shtyn me ditë të tjera me një vendim absurd. Sot gjeti një shkak tjetër për ta shtyrë, çështja duhet të ishte zhvilluar më herët. Është shtyrë qëllimisht, që ndërtuesit të rregullojnë lejet për katet pa leje. Përpara një jave kanë dhënë të njëjtën praktikë, është e njëjta trupë, nëse do ndryshonte do e kuptoja. Të hapin dosjet gjyqësore është e njëjta autorizim, në këtë çështje ka ndërruar standardin”, u shpreh Bardhi.
Nga ana tjetër, ai tha se nëse Gjykatën Kushtetuese pas Reformës në Drejtësi e ka kapur për fyti oligarkia, do duhet të na e bëjë me dije për të mos ardhur në Gjykatë më.
“Ne kemi pritur që GJK t’u qëndrojë dhe t’i rrisë standardet. Nëse gjykata të njëjtin standard njëherë e zbaton dhe një herë jo atëherë nuk është me Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese e oligarkisë. Ne do t’i heqim çdo alibi shumicës. Nuk ishte unanim, ishte me vendim shumice. Do zhbëjmë çdo alibi të kësaj trupe edhe pse shenjat janë që në këtë çështje GJK e ka kapur oligarkia dhe ka rënë pre e mesazheve mafioze në Twitter. Është një shqetësim real për demokracinë dhe shtetin ligjor”, deklaroi Bardhi.
