Pas shkrimit të gjatë të Kryeministrit Edi Rama, i cili shprehej se opozita e Lulzim Bashës s’i hyn në punë as dreqit, ka reaguar kryedemokrati.
Në mënyrë të befasishme Basha është 100% dakort me kryeministrin, por me ndryshimin se “Dreqi” ka për “mik” Edi Ramën, ndaj nuk i hyn në punë PD-ja.
Ja sesi shkruan Lulzim Basha në rrjetin e tij social, duke ironizuar edhe emrin e kryeministrit.
Reagimi i Bashës:
100% dakord me EDramen, PD nuk i duhet dreqit, se dreqi te ka ty!
Statusi i mëparshëm i Ramës:
SHENIMI I DITES
Lulëzimi e paska interpretuar thirrjen e Departamentit të Shtetit që gjithë partitë të hyjnë në zgjedhje, si një mbështetje për fantazinë e tij se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk u bëkan as sipas Shteteve të Bashkuara!
Në fakt e kundërta është e vërtetë. Shqipëria ka zgjedhje në 18 qershor. Dhe askush në botën e logjikës elementare demokratike, as nuk e diskuton fare datën kushtetuese të zgjedhjeve, lëre pastaj Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo demokracitë perëndimore në tërësi. Vajmedet ku u katandis partia që lindi nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!
Një shtet ku Kushtetuta, mund të trajtohet si peng i partive dhe e drejta e popullit për të zgjedhur, mund të vihet në diskutim sipas interesave të elitave partiake, nuk ka lidhje me botën demokratike. Ky lloj shteti mund të ekzistojë akoma në mendjen e atyre që nuk e lanë Shqipërinë të bëjë shtet serioz, për 25 vjet me radhë, po nuk ka lidhje me Shqipërinë e sotme ku prej 3 vjetësh e gjysëm luftojmë për të bërë shtet. Jo më! Kurrë më!
Mua nuk më habisin fare sot, as ata që e mbajtën për çerek shekulli këtë vend peng të mungesës së vizionit, atdhetarisë, aftësisë së tyre, me keqqeverisjen e me përbuzjen provinciale për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi; as ata që kanë marrë peng kanalet e katundit mediatik me verbërinë, paditurinë e babëzinë e tyre për paranë e zezë; as ata që turren të nxjerrin nga lumi, gurin e këtij budallallëku monumental apo që hutohen, nga thagma e “zgjedhjeve pa opozitën”. Të parët kanë frikë nga drejtësia. Të dytët i tremben tharjes së burimeve të padeklaruara të fitimit, për të bilbiluar e shkarrashkruar në emër të parimeve të demokracisë. Të tretët vijnë rrotull për t’u bërë të rëndësishëm në rrugët e katundit tonë politik apo, thjesht i friken kujtesës së viteve të zymta të rrëmujave, në Shqipërinë pa shtet.
Dhe, megjithë vendosmërinë për t’i dhënë, deri në dekikën e fundit, një shans dialogut dhe kthimit të Partisë Demokratike, në botën e logjikës elementare demokratike, bindem përditë e më shumë për një gjë:
Bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja e disa kryetarë pa parti të ngujuar në çadër për hatër të saj, jo vetëm nuk do ta lerë Shqipërinë pa opozitë në parlamentin e ri, po përkundrazi, ka shumë të ngjarë t’i japë jete një opozite të re, shumë më sfiduese se sa opozita pa kokë, pa program, pa skuadër e pa edukatë që pati parlamenti i sotëm.
Këtu do jemi e do shohim se kush ka të drejtë, po një gjë është e sigurtë: Një opozitë që i friket Reformës në Drejtësi dhe refuzon të paraqitet për gjykim përpara popullit, nuk i duhet jo Shqipërisë, shqiptarëve dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po as dreqit vetë!
Përplasja
Debati mes Ramës dhe Bashës ka nisur për shkak të një deklarate të Departamentit të Shtetit, ku sipas kryeministrit, mesazhi ka qenë i qartë, të gjitha partitë politike duhet të hyjnë në zgjedhje. Por sipas Bashës, ky ka qenë mesazhi që ka dashur të dëgjojë Edi Rama, duke hedhur akuza ndaj disa mediave se kanë transformuar mesazhin e DASH. Madje Basha është shprehur se vota e lirë dhe zgjedhjet demokratike janë në interes dhe mbrojtje të vetë SHBA-ve dhe BE-së