Pak minuta më parë, ka mbërritur në ambientet e Kuvendit edhe ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të marrë pjesë në seancën e sotme plenare. Duke folur para gazetarëve në oborrin e Kuvendit, ai sqaroi se pse nuk ishte në mbledhjen e grupit parlamentar dhe bëri një koment rreth situatës aktuale në PD.
“Unë do punoj që PD të jetë alternativë për njerëzit. Që të jetë do të thotë të pounojë për njerëzit dhe të kalojë interesat personale. Unë nuk heq dorë nga përgjegjësia ime ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Do punoj që një PD e bashkuar të kthehet në shpresë për njerëzit.
Një nga arsyet e aktit tim ka qenë tejkalimi interesave personale për ti dhënë mundësinë çdo forumi të PD dhe demokratëve të kenë mundësinë të vendosin lirisht. Prandaj nuk mora pjesë në një mbledhje e cila kishte të gjitha gjasat që do degradonte në një konfrontim. Grupi ka nevojë për bashkim dhe jo përçarje.
Unë kam bërë dhe do bëj gjithçka që PD të bashkohet“, tha Basha.
Ndërkohë, kujtojmë se një orë përpara nisjes së seancës plenare, është mbledhur grupi parlamentar i PD në të cilën Basha nuk mori pjesë. Por asaj i’u bashkuan edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët e tjerë të cilët nuk ishin ftuar pasi janë përjashtuar nga grupi parlamentar.
