Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me demokratët e qarkut të Durrësit, ku deklaroi se “pavarësisht masakrës zgjedhore, jemi shpresa e vetme për ndryshim dhe për demokraci”.
Basha tha se “ne do luftojmë me forcë dhe vendosmëri për të rrëzuar këtë regjim të korruptuar”.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin”, tha ai.
Sipas Bashës, “më 25 prill është asgjësuar instrumenti i fundit dhe i vetëm i mbetur për rikthimin e legjitimitetit dhe të demokracisë në vend”.
Basha tha se “nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve dhe hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre”.
“25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, njësoj si në 31 marsin e largët të vitit 1991, këto ishin zgjedhje pa zgjidhje. Dhe kjo për shkak të shtetit të bërë njësh me partinë dhe të partisë të bërë njësh me shtetin. Kjo për shkak të krimit të organizuar, të futur në çdo qelizë të shtetit dhe të aktivizuar e riaktivizuar për herë të dytë në Durrës. Në Durrësin e 339 që akoma mban peng negociatat dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Kjo për shkak të mizorisë, të poshtërsisë, të harbutërisë të një kundërshtari që nuk ka respekt për pluralizmin dhe e konsideron kundërshtarin politik si një armik. Unë e di sakrificën e gjithsecilit prej jush këtu në këtë sallë. E di se mbi ju është derdhur jo thjesht një fushatë politike ç’ka do ishte normale kjo edhe nga një parti në pushtet, por hakmarrja barbare e dikujt që nuk do dhe kurrë nuk i ka pranuar rregullat e pluralizmit. Hakmarrja barbare e atyre të cilët janë bërë njësh me këtë përpjekje kriminale për të mbajtur pushtetin e pakicës, duke ju mbivendosur vullnetit të shumicës”, tha Basha.
Basha shtoi se “më 25 prill është asgjësuar instrumenti i fundit dhe i vetëm i mbetur për rikthimin e legjitimitetit dhe të demokracisë në vend. Një pakicë të korruptuarish, të bërë njësh me një pakicë kriminelësh, i janë mbivendosur vullnetit të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që donin ndryshim më 25 prill”.
Duke u ndalur te ftesa e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim pa kushte me opozitën, Basha e cilësoi si një hile
“Ndaj, i është rikthyer manovrave, dy prej të cilave shquhen. E para, dredhia, hileja e shtrirjes së dorës për gjoja bashkëpunim pa kushte e pa vija të kuqe e me letra të bardha. Tani më nuk ka shqiptarë që nuk e njeh dredhinë dhe mashtrimin si dy vetitë kryesore të Edi Ramës. Po pse e bën pikërisht tani? Sepse e njeh forcën me të cilën kemi dalë nga kjo betejë. Sepse e di që edhe durrsakët e thjesht, edhe shqiptarët e thjesht, shokut dhe tronditjes po i lë vend zemërimi dhe do në këtë mënyrë të zbus e mundësisht të zhduk betejën që e pret. Dhe kjo mund të arrihet duke na bërë pjesëtarë të masakrës, pjesëtarë të vjedhjes, pjesëtarë të krimeve zgjedhore dhe të tillë do të bëhemi nëse pranojmë bashkëqeverisjen nëse e kapim dorën e shtrirë te hajdutit të vullnetit të shqiptarëve me 25 prill. Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian. Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ai.
