Teksa në mbledhjen e sotme të zhvilluar nga socialistët pritej që të merrej një vendim për përjashtimin e Orlando Rakipit nga Grupi Parlamentar për shkak se i ati i tij, ish-deputeti Aqif Rakipi u shpall “non-grata” nga SHBA, një gjë e tillë nuk ndodhi. Për këtë ka reaguar para pak minutash ish kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili akuzoi Ramën se është mburojë e personave “non grata”.
Në postimin e tij në “Facebook”, Basha thotë ndër të tjera se pyetja që shtrohet në këtë rast është, “për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill?”
Reagimi i Bashës:
“Edi Rama është mburoja e non gratave sepse pa ta ai nuk qëndron dot në pushtet. Pa ta nuk bën dot afera si ato të inceneratorëve, pa ta nuk ndan dot administratën si plaçkë, pa ta nuk e shpërndan dot buxhetin e shtetit sipas orekseve të të babëziturve që përdor për të shkatërruar zgjedhjet.Këto fakte të njohura nga çdo shqiptar pasqyrohen edhe në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe motivet e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.Pyetja që shtrohet sot është: për kë bleu vota Aqif Rakipi dhe krimi i organizuar në 25 prill?Edi Rama e di përgjigjen e kësaj pyetje, prandaj po mbron ortakët e tij në këtë krim zgjedhor, pa të cilët nuk do të ishte në pushtet.Sot, për qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë, është më e qartë se kurrë se kush do një Shqipëri të pastër nga korrupsioni dhe politikanët e lidhur me krimin, dhe kush do që asgjë të mos ndryshojë në këtë vend dhe që ata që e kanë shpopulluar dhe varfëruar Shqipërinë, të pasurohen edhe më shumë në kurriz të shumicës së ndershme të shqiptarëve.”Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të PS nuk u mor vendim për përjashtimin e deputetit Rakipi. Sipas socialistëve përgjegjësia në këtë rast është personale.Orlando Rakipi ishte surprizë në listën e zgjedhjeve të PS, pasi ai rezultoi një ndër deputetët më të votuar duke thyer herësin, ndërsa pas la figura të rëndësishme në mesin e socialistëve.
Pak ditë më parë babai dhe familja e tij u sanksionuan nga Departamenti i Thesarit. DASH e përshkruan Rakipin si një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.
“Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar” thuhet në njoftim, ku shtohet se ish-deputeti ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë.
