Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë para gazetarëve vetëm pak pasi kryeministri Edi Rama përfundoi fjalën e tij në Kuvend për vendimin e kreut të shtetit për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Paralajmërimi i tij ishte se Shqipëria po shkon drejt një grushti shteti.
“Shqipëria po shkon drejt një grushti shteti me Edi Ramën në pushtet. Në këto kushte kur nuk ka asnjë iluzion e pikë dyshime se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 u diktuan nga krimi i organizuar, paratë e drogës, kërcënimi i votuesve nga shit-blerja masive e votës, nga Avdylajt në Shijak tek Shullazët, nga Bajrat tek Habilajt nga Sanxhaktarët tek bandat e çobenjve në Korçë”,- tha ai.
Për Bashën lidhjet e Ramës me krimin kanë nisur që kur Rama ishte kryetar i bashkisë së Tiranës. “Edi Rama e nisi që kur ishte kryebashkiak, mundësinë për të pastruar paratë e pista të aktivitetit të tyre kriminal gjatë kohës që qeveriste bashkinë e Tiranës. Tiranës nuk iu dha kurrë një plan i përgjithshëm urban ndërkohë që Edi Rama ishte vetë ligji dhe maliqi, vetë ali dhe vetë kadi, e do të vendoste ku si dhe sa do të ndërtohej. Të famshme fatkeqe janë rastet e vrasjeve me armë, madje dhe me antitank në mes të Tiranës mes bandave kriminale, në këtë pazar të ethshëm pë të pastruar paratë e dorgëës e për t’i shndërruar në pallate shumëkatëshe”, vijoi Basha.