Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i opozitës Lulzim Basha e konsideroi Shqipërinë si vendin më të varfër në Europë dhe më të korruptuarin si pasojë e pandëshkueshmërisë.
“E si të mos mjaftonin sfidat e natyës ekonomike, pasojat e zgjedhjeve të gabuara ku thelat I keni ndarë për oligarkët dhe thërrimet për qytetarët, që po varfërojnë dhe largojnë shqiptarët, impakti në shoqëri është edhe më dramatik.Ai shihet në sfidën dhe karshillëkun e përditshëm që korrupsioni dhe krimi i bën shoqërisë, duke ofruar si model antivlerat që dekurajon të qenurit të ndershëm, dekurajon përpjekjet për të ndërtuar një jetë më të mirë, që gjymton parimet bazë mbi të cilat ngrihet një shoqëri e shëndetshme.
Kjo gjendje politike, ekonomike dhe shoqërore, që e ka kthyer Shqipërinë në vendin më të varfër të Europës, është pasojë e pandëshkueshmërisë që e ka bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës.
Të jesh i varfër në një vend të pasur, do të thotë se shteti nuk është më aty për t’u shërbyer njerëzve.
E që kjo sallë të jetë në shërbim të interesave më të mira të shumicës së shqiptarëve, që të propozojë dhe votojë iniciativa që mund të hapin një horizont të ri për jetën e të rinjëve dhe të rejave, nuk mund të jetë strehë e njerëzve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Dhe që debati politik dhe ekonomik të vendoset në shinat e duhura, që vendimmarrja të ngrihet në nivelin e sfidave që Shqipëria ka përpara saj, është jetike që ne të përballemi me plagën më të madhe të shoqërisë sonë, me emergjencën kombëtare, nga e cila burojnë probelemet e vogla e të mëdha të shqiptarëve: Korrupsionin”, tha Basha.
