Në të gjithë rrugëtimin e saj në “Dance Albania”, Adelina Tahiri ka përmendur vazhdimisht mbështetjen e palëkundur që ka marrë nga bashkëshorti i saj. Sonte në natën finale të spektaklit, ajo i dedikon publikisht të dashurit të zemrës një falenderim të përzemërt.
Adelina Tahiri: Është një përkrahje, të gjithë ata që funksionojnë si çift, në momentin që sakrifikon, sidomos kur lë një shtet, kur lë një fëmijë të vogël është shumë e vështirë sepse përgjegjësia i përket tjetrit, kështu që unë të gjitha përgjegjësitë ia kam lënë atij për momentin dhe ka qenë një baba i shkëlqyer dhe e falënderoj nga zemra për çdo suport që më ka dhënë.
Alketa Vejsiu: Bashkëshorti yt është avokat apo jo? Është jurist në profesion dhe ju jetoni midis Vjenës dhe Shkupit.
Adelina Tahiri: Po, ne jetojmë në Vjenë dhe në Maqedoni. Unë jam shumë e lumtur për suksesin e tij. Sidomos që të jesh me një njeri të suksesshëm dhe shumë të zgjuar, është një sukses edhe i femrës kështu që unë jam shumë krenare që jam pranë tij dhe pranë çdo suksesi që ai posedon.
Alketa Vejsiu: Bukur. Ai është shumë i rezervuar dhe nuk del në kamera, nuk i pëlqen jeta jote as në Instagram, as në Tik Tok, në sensin që të bëhet pjesë.
Adelina Tahiri: Unë kam prishur punë, ai më thotë deri tani, deri para se të jem me ty kam qenë shumë i lumtur sepse njerëzit më njihnin vetëm emrin por kurrë imazhin, ndërsa tani më ke prishur shumë punë sepse i dëgjoj kur flasin dhe keq për mua sepse e dinë kush jam. Ai është njeri shumë i thjeshtë, shumë modest dhe nuk do të ekspozohet në kamera dhe gjithmonë kur e ka bërë e ka bërë vetëm për hir timin.
Sapo mbaron këto fjalë, Adelina e cila mendon se bashkëshorti i saj, Serjoza, ndodhet në Vjenë për angazhimet e tij, ai hyn me një tufë të madhe trëndafilash të bardhë në dorë. Surpriza e bukur mrekullon këngëtaren ndërsa ndodh edhe një puthje e fshehur pas buqetës.
Serjoza Markov: Jam më i famshëm si bashkëshorti i Adelinës se sa si avokat. Jam shumë krenar dhe shumë i lumtur për Adelinën. Shpresoj që ajo do fitojë sonte. Sido që të shkojë për të, ajo ka fituar zemrën time dhe është fituesja për mua!