Vijon puna për pastrimin e çdo lagje të Burrelit nga Bashkia e Matit. Kryetari i Bashkisë Agron Malaj ka kërkuar nga vartësit të rrisin kujdesin në periferi të qytetit, sidomos në Lagjen e Re, e cila prej vitesh është lënë në harresë. Çuditësrisht gjysma e lagjes administrohej më parë nga ish komuna Komsi dhe gjysma tjetër nga ish bashkia Burrel. Tashmë e gjithë lagjja është pjesë e Bashkisë Mat dhe Malaj ka vendosur t’i kushtojë vëmendje të veçantë pastrimit dhe urbanizmit të kësaj lagje.
Drejtoria e Shërbimeve Bashkiake ka nisur punën, për pastrimin e kanaleve të ujrave të zeza në “Lagjen e re”. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj pa sot nga afër punimet dhe tha se dalja e ujrave të zeza në sipërfaqe ishte kthyer një shqetësim i madh për banorët që jetojnë në këtë zonë, pasi nga dalja e ujrave të zeza jo vetëm që ndotej mjedisi por ishte një rrezik serioz për shëndetin e banorëve. Vendosja e tumbinave, pastrimi i pusetave dhe zevëndësimi i tubave të dëmtuara zgjidh shqetësimin e banorëve të kësaj zone.
Në ditët që vijnë, theksoi Malaj, ne do të shtojmë investimet dhe kujdesin në këtë lagje të qytetit.



