“Është tjetër gjë të ndryshosh mendim për një qëndrim, është tjetër gjë të shash sot dhe të lëpish nesër”. Kështu deklaroi për “Now me Erla Mëhillin” gazetarja Marsela Karapanço ndërsa komentonte bashkimin e Gazment Bardhit dhe Sali Berishës.
Ajo iu kthyer kolegut të saj Arian Çani, sipas të cilit vetëm budallenjtë nuk ndryshojnë mendim. Ndërkohë, për Karapançon fakti që Bardhi dikur ka akuzuar Berishën si vrasës dhe sot bashkëpunon me të për opozitarizmin në Shqipëri nuk i duket e besueshme.
“Rrethanat kanë ndryshuar vetëm për ju zoti Bardhi sepse zoti Berisha vijon të jetë non grata dhe kjo nuk luan. Ju keni ndryshuar në këtë rast, jo fakti. Fakti mbetet aty. Ma thoni ju pse keni ndryshuar. Jeni ju ai që keni thënë çfarë keni thënë dhe jeni po ju sot që thoni se do mbështesni kandidatin e PD-së në Kukës,” – u shpreh Karapanço.
Ndërkohë Bardhi iu përgjigj se ai nuk mund të mbështesë kandidat tjetër veç atij të opozitës. Arian Çani nga ana tjetër u shpreh se nuk beson fare te sharjet në politikë, por te roli që duhet të luajë secili politikan.
