Për amnistinë fiskale, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat me Gabriela Heinrich, kryetare të grupit parlamentar të partisë gjermane SPD, tha se ende nuk ka një draft, por pohoi edhe se amnistia fiskale nuk është e ndaluar ndaj do të marrin rekomandimet më të mira nga BE, ndonësa nisma është kritikuar nga ndërkombëtarët.
“Ne do të vijojmë të konsultohemi për Amnistinë Fiskale dhe do të kemi draft në bashkëpunim me BE. Nuk është e ndaluar por duhet bërë në rekomandimet më të mira nga BE. Nuk ka ardhur ende në parlament drafti, ndaj kini durim. E rëndësishme të kuptojmë se në këtë situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga inflacioni i luftës, të gjitha qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për efektet e krizës. Amnistia fiskale është për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Balla.
Gabriela Heinrich që ndodhet në Tiranë prej 2 ditësh shprehet se erdhi që të krijonte bindjen se sa mbështetet procesi i integrimit europian. Heinrich u shpreh edhe se ka ende pika për të cilat duhet punuar, por Shqipëria ka treguar se po punon ndaj procesi mund të jetë akoma më i shpejtë.
“Duam të intensifikojmë marrëdhëniet tona. Brenda partisë mund të përmirësojmë disa gjëra. Ajo çka për mua është e rëndësishme është se Shqipëria na ka treguar se me motivimin e vet, procesi mund të jetë dhe më i shpejtë. Ky proces nuk do të jetë i lehtë, ama vetëdija se do të sjellë përmirësime është proces i rëndësishëm dhe besoj se është avantazh shumë i madh për këtë vend. Pata mundësinë të takohesha dhe me një delegacion të grave të PS. Marrëdhëniet janë bërë shumë të ngushta. Dhe grupi i miqësisë është një instrument shumë i rëndësishëm. Ka shumë sfida ku duhet të punojmë paralelisht”.