Nga forumi për sigurinë në Bratislavë të Sllovakisë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, prezantoi një iniciativë të re për Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se bëhet fjalë për një plan të ri zhvillimi që do t’u japë që tani qytetarëve të rajonit, disa prej benefiteve të anëtarësimit në BE.
“Plani bazohet në 4 shtylla. Së pari, synon të afrojë më shumë Ballkanin Perëndimore me tregun e përbashkët të BE. Së dyti, do të thellojë integrimin ekonomik rajonal. Së treti, do të përshpejtojë reformat thelbësore dhe së katërti do të rrisë fondet e para-anëtarësimit”, tha Ursula Von Der Leyen.
Ajo tha se afrimi me tregun e përbashkët të BE duhet të shkojë paralelisht me zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal, që siç tha është thelbësor për të zhbllokuar potencialin ekonomik të rajonit e për ta bërë më atraktiv për investitorët e huaj. Për dhënien para kohe të avantazheve të anëtarësimit, do të duhet që disa prej kushteve të plotësohen paraprakisht.
“Ballkani Perëndimor ka potencial të madh për t’u shkëputur nga karburantet fosile të Rusisë. Por duhet të rrisë efikasitetin energjetik, të shtojë diversifikimin të përshpejtojë shfrytëzimin e energjisë së rinovueshme”.
Von Der Leyen tha edhe se valët e shokut të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë kanë arritur gjithashtu, partnerët e Ballkanit Perëndimor. Ajo i cilësoi si tejet shqetësuese tensionet e fundin në veriun e Kosovës dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të marrin masa për rikthimin e qetësisë.