Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri.
Megjithatë, blloku evropian thotë se Kurti “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur”. Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtar nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, u shpreh ai.
Stano theksoi se me shtetet anëtare të bllokut janë ndarë disa nga masat të cilat do të ndërmerren ndaj Kosovës, nëse sipas tij, Kurti nuk ndërmerr hapat adekuat dhe menjëherë të ulë tensionet në veri.
“Diskutimet mes vendeve anëtare janë duke vazhduar dhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, është në kontakt të përhershëm me liderët e rajonit dhe ata të vendeve anëtare të BE-së”, tha Stano.
