Bashkimi Evropian ka mirëpritur me ngrohtësi raportin e ambasadorit Michel Tarran para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe ka falënderuar për detajet e tija të plota lidhur me aktivitetet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Në një kontekst të sfiduar gjeopolitik, i shënuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës, Bashkimi Evropian thekson se OSBE-ja dhe operacionet e saj në terren mbeten element kyç për promovimin dhe ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë zonën e OSBE-së.
Për këtë arsye, BE-ja vlerëson angazhimin strategjik të Shqipërisë për të mbrojtur vlerat e përbashkëta evropiane, duke përfshirë harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe miratimin e masave kufizuese ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.
Bashkimi Evropian ka përgëzuar Prezencën e OSBE-së për punën e vazhdueshme dhe efektive në të tre dimensionet e veprimtarisë së saj, duke u fokusuar në nevojat prioritare të vendit dhe duke përdorur një qasje gjithëpërfshirëse që përfshin angazhimin në nivel qendror dhe lokal, bashkëpunimin me institucionet shqiptare dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile duke integruar perspektivat gjinore, të rinjve dhe rajonale, në përputhje dhe bashkëpunim me strukturat e OSBE-së dhe partnerët ndërkombëtarë. BE-ja ka përshëndetur edhe angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe kontaktet me vendet fqinje për të adresuar çështje bilaterale të rëndësishme dhe për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore.
Në raport, BE-ja ka vlerësuar mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në fusha kyçe si demokratizimi, forcimi i sundimit të ligjit dhe ndihma për reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, promovimi i lirisë së medias, menaxhimi i mjedisit, përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve, dhe përforcimi i menaxhimit të kufijve. Në këtë kontekst, përpjekjet për të luftuar terrorizmin, pastrimin e parave dhe krimin e organizuar transnacional dhe ndërkombëtar, si dhe ngritja e vetëdijes për sigurinë kibernetike janë vlerësuar si të domosdoshme.
Bashkimi Evropian ka përshëndetur gjithashtu ndihmën e vazhdueshme për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e reformës së drejtësisë, duke përfshirë mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Gjykatën Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vënë theksin tek rëndësia e arritjes së rezultateve të qëndrueshme dhe të pakthyeshme në këtë fushë për plotësimin e kërkesave për anëtarësim në BE. Vlerësohet po ashtu përparimi i vazhdueshëm i procesit të vettingut, rezultatet konkrete dhe vendosja e standardeve kyçe. BE-ja ka rikonfirmuar rëndësinë e lirisë dhe pluralizmit të medias, transparencës së pronësisë së mediave dhe pavarësisë së tyre, si publike ashtu edhe private, duke përfshirë sigurinë e gazetarëve.
Për më tepër, është vlerësuar roli kryesor i Prezencës së OSBE-së dhe ODIHR-it në mbështetjen e reformës zgjedhore, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe promovimin e pjesëmarrjes informuar dhe gjithëpërfshirëse të qytetarëve për të garantuar zgjedhje transparente dhe profesionale në vitin 2025, duke nënvizuar angazhimin e autoriteteve shqiptare për të zbatuar të gjitha rekomandimet e mbetura të ODIHR-it.
Në aspektin e të drejtave të njeriut, BE-ja ka përforcuar rëndësinë e aktiviteteve për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, përfshirë trafikimin e fëmijëve dhe shfrytëzimin e tyre në punë, si dhe nevojën për të promovuar politika efektive për mbrojtjen e të drejtave të personave që i përkasin pakicave kombëtare.
Bashkimi Evropian ka mirëpritur miratimin e ligjeve dytësore dhe ka kërkuar zbatimin e shpejtë të tre akteve nënligjore të mbetura që lidhen me ligjin e vitit 2017 për mbrojtjen e personave që i përkasin pakicave kombëtare, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e përforcimit të të drejtave mbi pronën. Në përfundim, Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar përkushtimin e tij për zgjerimin, duke e konsideruar atë një prioritet strategjik, dhe i ka uruar ambasadorit Tarran dhe ekipit të tij sukses në të gjitha aktivitetet e tyre.
