Këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha ka dhënë një intervistë për “Rolling Stones”, ku foli edhe për familjen e prindërit e saj, duke u shprehur se mentaliteti i saj është që gjithmonë të marrë më të mirën, kjo sepse vjen nga rritja në një familje emigrantësh.
Të dy prindërit e saj janë shqiptarë, me babain e saj që emigroi në SHBA nga Maqedonia e Veriut në moshën 21-vjeçare në fund të viteve ’80, para Luftërave Jugosllave. Nëna e saj ka lindur në SHBA, por edhe gjyshërit nga nëna e Rexhës emigruan nga Evropa në kërkim të “një jete më të mirë”.
“Ata janë më paranojakë. Më të stresuar. Ndjehem sikur i kam marrë disa nga ato cilësi nga familja ime sepse kalojnë nëpër breza , por duhet të mësosh se si të tërhiqesh nga kjo. Askush nuk flet kurrë për traumën e brezave,”- thotë ajo për familjen e saj të ngushtë
Rexha e kanalizoi kulturën e saj në një mënyrë tjetër në një nga këngët e albumit “Bebe”, e cila titullohet “I Am”, të cilën e kompozoi pasi Gjykata e Lartë mori vendim për ndalimin e abortit në Amerikë. Ky vendim e bëri atë të mendojë për rrënjët e saj dhe mizogjeninë e rrënjosur që ajo sheh në kulturën shqiptare.
“E dua kulturën time dhe e urrej ta them këtë, por ndonjëherë ndihem sikur gratë trajtohen si qytetare të dorës së dytë. Burrat hanë të parët. Burrat flasin. Gjithçka ka të bëjë me burrat dhe më pas hyjnë ‘në lojë’ gratë”, shtoi ajo.