Nesër mblidhet forumi i Partisë Socialiste të Korçës që përmes votimeve do të zgjedhë kryetarin e kësaj partie për bashkinë. Në garë janë tre kandidatët Emiljano Muharem, Petrika Tollkuçi dhe Nada Bandilli.
Pavarësisht synimit që kanë për të drejtuar PS-në e Korçës, ata deklarojnë paraprakisht se do të mbeten miq pavarësisht zgjedhjes që do bëhet. Të paktën këtë e shpreh mesazhi i bërë publik. Në pritje të mbledhjes së zgjeruar të Asamblesë Socialiste të Bashkisë Korçë tre kandidatët në garë kanë bërë një deklaratë interesante.
“Ne të tre nesër do të garojmë për postin e Kryetarit të Partisë Socialiste të Bashkisë së Korçës. Padyshim që gara mbetet garë, por, kjo s’na pengon që para konkurrencës dhe synimit të sejcilit, të mbetemi të tre miq partie “pe Korçe”, kanë shprehur “konsensusin” kandidatët duke e shoqëruar edhe me foton e përbashkët.
