I ftuar në një studio televizive, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi nuk e ka fshehur ambicien për drejtimin e PD-së në të ardhmen.
Mirëpo ai tha se që të flasë për ambicie personale në këtë situatë të vështirë që po kalon PD do të ishte lëvizje e nxituar.
Këlliçi deklaroi se më e rëndësishmja sot është të bashkohet e gjithë PD-ja në luftën kundër Edi Ramës dhe të dalin në protesta, gjë që është në gjenezën e PD-së.
“Turp t’i vijë që flet me atë gjuhë z.Basha, i cili sot është thjesht deputet i PD-së. T’i lëmë përrallat që ky bën betejën për PD dhe të tjerët për karrige. Vëllai im është një nga krenaritë më të mëdha që kam në jetë. Sulm i ulët, i porositur nga një rrjet i ngushtë i Bashës. Nuk përbën asnjë shqetësim. Vëllai im është një nga ekspertët më të mirë që ka Shqipëria në fushën e energjisë së rinovueshme. Ai duhet të përshëndetet që kthehet në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij. Ka punuar për një vit si këshilltar ligjor. Në momentin që unë u shpalla drejtues politik, ai u tërhoq nga ky post. Zoti Basha mund të shkojë të pyesë në sekretariatin e ambasadës për të vërtetuar këto që them. Edhe pse pati këmbëngulje të vazhdonte, ai dha dorëheqjen. Ai vijon jetën e tij private dhe nuk ka asnjë lidhje politike.
I kemi dhënë një afat (Bashës) – që duhet të ishte një përgatitje morale – që ta kuptojë se nuk mundet të vazhdojë më çmendurinë politike. Z.Basha është shkarkuar me mbi 4000 vota. Në referendumin e datës 18 votuan rreth 44 mijë anëtarë për shkarkimin e Bashës. Ne sot kemi kryer një akt formal. Do ketë kohë deri në datë 5 janar 2022. Më pas anëtarësia do të veprojë si përmbarimor. Ai vazhdon marrëzinë e tij. Nuk e kuptoj si mundet nje person arrin në atë pikë. Do të hyjë në histori si i vetmi kryetar partie që ka shkarkuar më shumë se sa ka thithur në parti.
Vijon të shkojë nga gabimi në gabim. Nuk i vlen kjo gjë as asaj trashëgimie sado të vogël që mund të lërë në atë parti. Ka qenë tërësisht i gabuar në vendimmarrjen që ka bërë. Ne mesin e vitit 2022 do të jetë vetëm kujtim i keq për demokratët. Më vjen keq që nuk ka pjekurinë e dikurshme të 30- vjeçarëve të FRESSH që, kur kishin kriza i zgjidhnin me anëtarësisnë. Nuk e di sa herë duhet të humbasë zoti Basha që të largohet.
Nuk ka asgjë personale ketu. Në një vend demokratik të jetë ky standard i denjë për Korenë e Veriut. Do të doja shumë që viti 2022 t’i gjejë demokratët sërish në protestë, në sheshet e betejave. Basha nuk del dot nga zyra. I kishte dhënë porosi deputetëve të dalin për takime. Të dalë, t’i takojë, t’i pyesë dhe të shohë gjendjen”, sugjeroi Këlliçi, ish-kryetar i tê rinjve të PD.
