Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës në Kuvend ka sulmuar deputetët socialistë se po miratojnë një ligj që bie ndesh me interesat e qytetarëve të 15 bashkive.
“Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet! Kjo është hakmarrje politike ndaj qytetarëve. Midis njeriut të qytetëruar dhe njeriut që ka humbur vetëdijen njerëzore, njeriut që para virtytit, përgjegjësisë, zgjedh vesin dhe verbërinë, njeriut që bëhet vektor i së keqes, ju keni zgjedhur këtë të dytën. Vini këtu në parlament dhe në një akt armiqësor të hapur, të hapur, pohoni se nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre. Pohoni se duke u larguar shërbimet dhe qeverisjen, i lumturoni ata. Pohoni se po kryeni një vepër madhore në interes të shqiptarëve. Gjuha që përdoret këtu nga deputetët e padrinos, është forma më e lartë e korruptimit të gjuhës. Është akti më i lartë i korrupsionit, jo vetëm të gjuhës, por edhe mendimit. Këta asgjësojnë 15 bashki prej të cilave ka me performancë shumë të mirë. Ka komunitete me rezerva botërore e nikeli siç është Prrenjasi apo Klosi, prej të cilave ka performancë më të mirë se në këto ekzistueset. Termat që ju përdorni janë përdhosje e gjuhës shqipe për t’u fshehur realitetin shqiptarëve” tha mes të tjerash Berisha.
