Ish kryeministri Sali Berisha thotë se po i respekton masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, teksa tregon se është izoluar në shtëpinë e tij.
“Nuk kam frikë fare. Jam në shtëpinë time, te rruga ‘Mustafa Matohiti’. Po e respektoj karantinën sepse është direktivë e OBSH-së. Se të ishte për të izoluarin e Surrelit, nuk dilnim as te pragu i shtëpisë” – tha Berisha duke nënvizuar se nuk po ndjek këshillat e qeverisë, por të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
I pyetur për menaxhimin e stresit, Berisha u shpreh se po e menaxhon shumë mirë. Ai tha se kush e njeh në vitet kur ishte student, e di mirë që ka qenë studius pasionant i stresit.
Sali Berisha shtoi se e shtyn kohën edhe duke lexuar pa pushim.
Berisha, i cili ka mbaruar fakultetin e mjekësisë në vitin 1967 tregon se vendi jonë nuk është përballur kurrë më parë me një pandemi të tillë.
“Nuk kam hasur ndonjëherë ndonjë situatë të ngjashme epidemike, kurrë ndonjëherë.
Që në vitin 1918 që nga gripi spanjoll, pandemi si kjo nuk ka parë bota.
Gjatë kohës që kam qenë mjek kanë qenë epidemi periodike të gripit, ka pasur kolerë, momente fruthi, ka patur në zona të caktuara epidemi të verdhëzës, por në kuadër pandemie nuk ka pasur kurrë”, tha Berisha në një lidhje direkte me studion e Opinion.