Nga Roland Qafoku
Me 3 orë, 46 minuta e 38 sekonda show në stadiumin “Air Albania”. Me një pjesëmarrje të kënaqshme, por që me kalimin e kohës u bë shkak për debat nëse kishte braktisje, ose jo nga pjesëmarrësit. Me një prezantim “alla amerikan” të 61 kandidatëve që parakalonin në fushë kur u përmendej emri dhe më pas stacionoheshin në një podium të veçantë. Me një këngë të rrymës hard rock nga Renis Gjoka dhe Eugent Bushpepa si një kolonë zanore e fushatës. Nën sharmin e Floriana Garos e veshur tërësisht yelloë në unison me ngjyrën e parë të pranverës. Me një dokumentar të shkurtër nga historiku i PD në të cilin binte në sy fshirja e periudhës kur Lulzim Basha ishte kryetar, të cilën e drejtoi për 9 vjet, 4 muaj e 2 ditë. Me një regji qendrore që ndonëse kishte luksin teknologjik me disa kamera dhe dy krane gjigandë, sforcohej shpesh për të kapur planet më të mirat të asaj që ndodhte aty. Me fjalimin e Sali Berishës që zgjati 31 minuta e 45 sekonda, të Ilir Metës 11 minuta e 11 sekonda, me fjalimin e Belind Këlliçit prej 14 minutash e 48 sekonda, të Bardh Spahisë prej 5 minuta e 42 sekonda, Luçiano Boçit prej 7 minuta e 14 sekonda, të Igli Carës prej 7 minuta e 31 sekonda dhe disa kandidatëve të tjerë që e lodhën shumë publikun me fjalime pa ndonjë vlerë. Nën sloganin “Ndryshimi në duart e tua” dhe me sfond “Bashkë Fitojmë”, PD dhe PL hapën fushatën mesditën e të shtunës, nga e cila kuptuam pak a shumë se çdo ndodhë në 29 ditët në vazhdim, por kuptojmë gjithashtu se edhe çdo ndodhë ditën e votimit më 14 maj.
SI U FSHINË 9 VJET, 4 MUAJ E 2 DITË TË LULZIM BASHËS
Ajo e të shtunës tregoi se në Shqipëri historia fshihet aq lehtë në mënyrë të frikshme. Edhe hapja e fushatës së PD-së së Rithemelimit nuk shpëtoi nga zhdukja e asaj pjesë të historisë nga 23 korriku i vitit 2013 deri më 21 mars 2022 nën drejtimine Lulzim Bashës. Ngjan si një rregull i pashkruar që ka ndodhur në këto 112 vjet të shtetit shqptar. Ardhja e Ahmet Zogut në pushtet solli fshirjen dhe zhdukjen e sarajeve të familjes Vlora që nxori korifejtë e themelimit të shtetit shqiptar por edhe vendi ku u ngrit flamuri i pavarësisë nga Ismail Vlora. Ardhja e Enver Hoxhës në pushtet solli fshirjen totale të periudhës së Zogut. Çdo gjë vlerësohej e zezë, nuk dihej as historia as letërsia, e as gjë dhe çdo punë quhej për herë të parë. Aq paranojake u bë kjo saqë edhe grupet armiqësore nga radhët e veta që zbulonte Enver Hoxha u shoqëruan me fshirjen e historisë. Kështu, ministra e deri te kryeministri armik iu hiqeshin fotografitë, pamjet filmike e deri emrat nëpër libra pavarësisht se kishin qënë pjesë e historisë së vetë atij regjimi. Kulmi ishte pas vdekjes së Mehmet Shehut. Me vendim të veçantë kryeministri që qendroi në detyrë 27 vjet, 4 muaj e 28 ditë në detyrë iu hoqën të gjitha fotografitë, filmimet dhe emrat në çdo tekst shkollor dhe zyrtar. Por historia u fshirjes së historisë u përsërit të shtunën në stadium Air Albania. Në hyrje të hapjes së fushatës u shfaq një dokumentar me historikun e PD. Pikëvështrimi ishte kronologjik që nga themelimi më 12 dhjetor 1990, ardhja në pushtet në 1992, largimi dhe trazirat e vtit 1997, riardhja në pushtet në vitin 2005, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ndërtimi i Rrugës së Kombit, vizita e presidentit amerikan George W. Bush e deri te një sinkroni i famshëm i Berishës kur u zyrtarizua anëtarësimi ynë në NATO “This is a miracle of freedom”. Sapo erdhi momenti i dorëheqjes së Sali Berishës në 2013 si kryetar i PD dhe marrja e drejtimit të PD nga Lulzim Basha, gjithçka nuk ekzistonte. Ato 9 vjet, 4 muaj e 2 ditë u sqaruan vetëm me frazën “PD-së iu vodh vula” dhe për këtë arsye, sipas skenaristit, u ndërmor aksioni i rithemelimi. Kjo është në kufijtë e një skandali. Nuk besoj se është një lajthitje, e as një harresë. Por një skandal politik brenda PD. Unë vazhdoj të konkudoj se autori i ndarjes dhe përçarjes së PD është Lulzm Basha dhe periudha që ai drejtoi PD-në është më e zeza dhe më e turpshmja. Por që të periudha e drejtimit nga ana e tij e PD të fshihet dhe të mos ketë ansjë vend një historik, është një autgol dhe një dëm akoma më i madh se ajo që i bëri PD. Si mund ta hedhësh poshtë me një të rënë të lapsit historinë e një partie opozitare, që edhe me gabimet dhe fajet që ka bërë e ka dëmtuar Shqipërinë politike? Për më tepër që në këto 9 vjet Lulzim Basha ka patur mbështetjen e plotë të Sali Berishës. Kjo fshireje lë një shije të hidhur, si ajo që bëri edhe Basha që fshiu dhe largoi na historia shumë e shumë figura të PD duke përjashtuar shumë e shumë vlera. Me të njëjtin stil u bë edhe të shtunën me Bashën dhe bashkëpunëtorët e vet. Më e ndershmja dhe më e mira do ishte pasqyrimi i të vërtetës në të cilën skenaristët duhet ta trajtonin me realizëm, pse jo edhe me një lloj ndjese për mbështetjen që Berisha i kishte dhënë Bashës. Por fshirja është më e keqe se sa fajet dhe gabimet. Është një stil i vjetër që nuk i shërben as bashkimit e pajtimit të madh, por as frymës që sjell fitore.
