Në selinë blu është mbledhur pasditen e së hënës Këshilli Kombëtar. Në fjalën e tij përpara se Këshilli të nisë punimet, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi ndër të tjera edhe marrëdhëniet Shqipëri-Turqi.
Për ish-kryeministrin marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me presidentin turk Rexhep Erdogan janë në kundërshtim flagrant me bashkëpunimin që duhet të ekzistojë mes dy vendeve sovrane. Berisha kujtoi çështjen e zgjedhjes së kreut të Komunitetit Mysliman në Shqipëri, por edhe mbylljen e gjimnazit “Mehmet Akif” disa ditë më parë.
Kreu i të djathtëve tha se nëse Turqia do ta respektojë Shqipërinë si vend sovran, atëherë duhet të pushojë së diktuari mbyllje shkollash apo kopshtesh.
“Ka qytetarë që i interpretojnë si të veçanta qëndrimet e Erdogan. Por ato janë në kundërshtim flagrant me miqësinë dhe bashkëpunimin që ka ekzistuar mes dy vendeve sovrane. Kurrë nuk duhet të harrojmë se për ne kombi është i pari dhe ne jemi komb plureligjoz. Ne nuk pranojmë ndikime në raportet tona fetare…Në një anë kërkohet të emërohet kreu i KMSH që në të gjitha statutet e komunitetit zgjidhet me votë. Tani na del se do na hapë dhe mbyll shkollat kur të dojë. Nuk ka akt më të turpshëm, poshtërues, të shpifur se të mbyllësh kopshte dhe shkolla fëmijësh se gjoja janë të lidhura me terroristë dhe puçistë në Turqi. Pa asnjë fakt. Fakti i vetëm që gjen një oligark të klientelës për të thënë që e kam blerë unë godinën. I them Sinan Idrizit të mos luajë në interesa kombëtare. Nëse Turqia do ta respektojë Shqipërinë si vend sovran, s’do mundet kurrë të diktojë mbyllje kopshtesh dhe shkollash në Shqipëri…Ne nuk pranojmë një individ si ky që lejon që vendimet ndaj nesh të merren në Beograd dhe Ankara. Po ky s’ka Atdhe,” u shpreh Sali Berisha.