Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në “Syri Tv” se mbështet kryeministrin e Kosovës Albin Kurti i cili ka refuzuar nismën ‘Ballkani i Hapur’ dhe ka mbrojtur projektin europian për Ballkanin, ‘Proçesin e Berlinit’.
Kreu i selisë blu theksoi se Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë, përkundrazi Serbia i ka Kosovës pasi ka kryer gjenocid.
“Me refuzimin e Ballkanit të Hapur, Albin Kurti ka mbrojtur projektin europian për Ballkanin, Proçesin e Berlinit.
Me vendimin që mori për targat dhe letërnjoftimet Kurti nuk bëri asgjë tjetër veçse veproi në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, vendosi standardin e barazisë mes dy vendeve.
Unë e mbështes plotësisht Albin Kurtin se nuk jam kurrë dakord dhe s’kam qenë dakord me shkëmbim territoresh.
Ata që mendojnë se Kosova i ka borxhe Serbisë, ata të pyesin veten mirë çfarë përfaqësojnë. Kosova nuk i ka asnjë borxh Serbisë, përkundrazi Serbia i ka borxhe të gjithanshme Kosovës, financiare, njerëzore, materiale, të gjithanshme.
Serbia s’i ka kthyer borxhet Kosovës. Ka kryer genocid Serbia në Kosovë.” – tha Berisha.