Ish kryeministri, Sali Berisha në një mbledhje me deputetët e grupit të ‘Rithemelimit’ ka folur për primaret e finalizuara ditën e dielë përsa i përket kandidatëve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në 14 maj të vitit 2023.
Ai pranoi se procesi nuk kishte qenë i përkryer por shtoi se problematikat e dala mund të përdoreshin për t’u përsosur më tej në zgjedhjet e tjera që mund të mbahen në të ardhmen.
Ndërkaq gjatë konferencës, Berishës në sallë i ikën dritat.
“Jemi në hapat e parë, por gradualisht anëtarët dhe simpatizantët e PD duke lexuar për këtë proces do gjejnë se lobimi, ndonëse unë nuk e këshilloj, por është pjesë konstante e procesit. Pse e them këtë? Sepse secili që merr përsipër të garojë duhet ta dijë që rivali i tij, do mund të mobilizojë, persona, grupe, personalitete për të krijuar një impakt sa më pozitiv për kandidaturën e tij dhe për këtë duhet të mësohen, sikurse persona grupe interesi kanë të drejtë të lobojnë për kandidatët që duan. Nuk besoj se kryetari dhe drejtuesit e partisë duhet të lobojnë, se kjo pastaj do e dëmtonte barazinë dhe unë ju siguroj se nuk kam patur asnjë lloj anësimi në këtë garë”- u shpreh Berisha.
