Ish-kryeministri Sali Berisha ftoi banorët e Fushë-Alies në Dibër të mbështesin kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” si e vetmja rrugë për të sjellë të djathtën në pushtet. Berisha akuzoi shumicën socialiste se e ka përbuzur Dibrën në këto vite.
Më herët Berisha takoi fermerët e Dibrës të cilëve u premtoi mbështetje për bujqësinë kur PD të vijë në pushtet. Ish-kreu i PD, Berisha bëri përgjegjës qeverinë “Rama” për situatën ku ndodhen fermerët shqiptarë.
“Pse është rritur çmimi i plehrave kimike, ilaçeve të bletëve? Sepse janë monopol, tregtinë e këtyre e kanë njerëz të qeverisë dhe bëjnë çtë duan. Pse Shqipëria ka çmimin e naftës më të lartë në Europë sa Suedia e Zvicra? Sepse Edi Rama me importuesit ndan fitimet, vendos taksë pas takse. Ka nxjerrë tani edhe taksën e kontrollit mbi pompa, po dyfishohet, dhe kjo është rritje e çmimit për ju dhe shqiptarët”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u ka bërë apel dibranëve të mos votojnë kandidatin e Bashës.
