Sali Berisha prezantoi në Dibër programin, të cilin e cilësoi si koalicionin më të madh politik në 32 vitet e fundit, me 25 parti të bashkuara. Ai theksoi se me misioni i tij është i qartë për të ndryshuar realitetin shqiptar.
”Në këtë moshë, në këto vite, në vjeshtën time të mrekullueshme, nuk më duhet pushteti, nuk kam ambicie as për para as për luks. Kam një mision, të bëj gjithçka për të ndryshuar jetën tuaj”. Berisha tha se programi përqendrohet tek njerëzit në nevojë dhe do të sjellë ndryshime të prekshme brenda 100 ditëve.
“Nga e nisim ne këtë program? E nisim nga ata të cilët janë më në nevojë. Nga ata të cilët jetojnë duke folur me vete për shkak të skamjes dhe mjerimit. E nisim pra për ta bërë këtë shoqëri më të drejtë, më njerëzore, më humane, më të barabartë. Ne kemi çdo potencial, por kemi edhe eksperiencën që ta bëjmë këtë me shpejtësi të madhe. Ta bëjmë këtë brenda 100 ditëve. Ata që mund të pyesin, po ç’janë këto çudira, u them nuk ka asnjë çudi”.
Sipas tij, qeveria e ardhshme do të rikthejë paratë e vjedhura te qytetarët, duke zbatuar parimin “paratë qytetarëve, jo të qeveritarëve”. “Qeveria e ardhshme, brenda 100 ditëve do u kthejë paratë e vjedhura shqiptarëve. Miq, filozofia jonë, thelbi i këtij programi, bazohet në parimin e thjeshtë, paratë qytetarëve, paratë qytetarëve, paratë qytetarëve! Po këtu, Sali Berisha nuk ka asnjë shpikje, asnjë zbulim. Sali Berisha nuk bën gjë tjetër vetëm zbaton atë parim të hekurt që është i detyrueshëm për çdo qytetar të përgjegjshëm”.
