“Franca do të rreshtohet gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ky është qëndrimi i ambasadores së Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq, e pyetur me qëndrimin që mban shteti që ajo përfaqëson në lidhje me shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Në një intervistë për ABC, ambasadorja franceze theksoi se Franca është aleati më i mirë i SHBA dhe se respekton mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë.
“Franca është solidare me Shtetet e Bashkuara. Gjithmonë! Ne themi gjithmonë në lidhje me Shteteve të Bashkuara se “ne jemi aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara”. Pikëspari sepse në planin e mbrojtjes, nëse ka një vend që nuk ka rreshtur së financuari mbrojtjen, është pikërisht Franca. Buxhetet tona të mbrojtjes janë konsistente. Mos harrojmë se në nivel kombëtar kemi marinën e dytë më të madhe në NATO, pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë, ne e respektojmë.” u shpreh ambasadorja.
Megjithatë për sa i përket konkretisht Francës si shtet, zonja Barsacq u shpreh se Franca vëzhgon dhe më pas del në konstatime konkretet për persona të përveçë.
“Çështja nuk shtrohet ekzaktësisht në këto terma për Francën. Franca konstaton. Shikoni, një ambasadë e Francës në punën e saj ka dy aspekte: Eshtë ajo që do ta quaja “institut kërkimor” në lidhje me vendin pritës dhe, nga ana tjetër, mbajtja gjallë e marrëdhënieve dypalëshe. Për pjesën “institut kërkimor” do të thoja se jemi më së shumti shkencëtarë që po bëjnë konstatime, pra marrim mikroskopin dhe shohim si funksionojnë mikrobet në atë pllakën e qelqtë poshtë mikroskopit. Kjo është. Dhe në këtë pikë nuk ka pse të jemi të bezdisur, as pse të jemi “pro”, apo “kundër”… Nuk pozicionohemi në këtë mënyrë,” theksoi ambasadorja.
