Sali Berisha u kërkon mediave që të pasqyrojnë çdo mbledhje të këshillave bashkiakë. Ai ka hedhur sërish akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për inceneratorin. Berisha thekson se sot Veliaj kalon vendimin për t’i dhënë 6 mln euro të tjera kompanisë së tij për “djegësin”.
“Sot kalon vendimin për 600 mln lekë të tjera në kompaninë e tij me pronarë në letra Zoto dhe Mërtiri. 6 mln euro! Erion Veliaj çdo ditë që kalon është një akt-akuzë e rëndë për Skapin e partisë. Qytetarët duhet ta dinë se këto 6 mln euro, 430 mln lekë i ka marrë nga arsimi i fëmijëve, në buxhet i ka hequr. 130 mln lekë ka hequr nga Fondi i Emergjencës, këto pret kur skapistët marrin përsipër krimin e shëmtuar të amnistimit të tij. I çon te sipërmarrja e djegësit të tij“,-tha Berisha.
Me një gjuhë të nxitjes së dhunës, Berisha ka një thirrje edhe për qytetarët. “Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve, të përgatitemi për ta kapur për zverku dhe për ta dërguar te dera e burgut, sepse nëse presim SPAK-in, ju garantoj se ai do të bëhet dhe kryeministër i Shqipërisë në mendjen e tij. Veliaj është mafiozi që vendosi të heqë dorë nga praktika e mëparshme e trajtimit të plehrave dhe të kalojë në djegie, është falsifikatori monstruoz”.