Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas paraqitjes së tij para SPAK, tha se dosja e hetimit politik, të cilën e tërhoqi sot gjatë thirrjes në SPAK, është një piramidë mashtrimi.
Në fjalën e tij në tubimin qytetar, Berisha përmendi të gjitha hapat e nisjes së procesit të privatizimit, ku sipas tij prokurorët e SPAK manipuluan provat me qëllim që të mos përmendnin qeverisjen socialiste e cila ishte iniciuese.
Ish-kryeministri tha ndryshimin e destinacionit e ka bërë Edi Rama kur ishte kryebashkiak. “Destinacionin e ndryshoi Edi Rama pa asnjë kërkesë nga pronarët, Dumani-Kraja-Millanoi mashtrojnë hapur”, theksoi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos e mbështesin më monstrën që krijuan në Shqipëri, një drejtësi të varur totalisht nga Edi Rama.
Pjesë nga fjalimi i Berishës
Sot unë në zyrat e krimit, në zyrat e krimit të narkoshtetit, u deklarova mercenarëve, grupit të strukturuar kriminal Dumani-Damani, njëqind herë më i mirë Nuredini se Altini, Krajës dhe Mellonait, ish-oficerit të Sigurimit të Shtetit dhe ndrikullës së bandave, motrës sibiologjike të Taulantit me shumë mbiemra, se dokumenti juaj është një piramidë mashtrimi.
Dokumenti që ata kanë shkruajtur për katër vite tejkalon çdo imagjinatë në poshtërsinë, në mashtrimin, në falsifikimin, në vetëposhtërimin e njeriut. Ai dokument tregon se Edi Rama dhe ata që ndihmuan, që kryen reformën e Xhorxh Sorosit, iu dhanë shqiptarëve një monstër që nuk e kanë pasur kurrë të tillë nga ditët më të zeza të diktaturës.
Ua shpjegoj unë të vërtetën, në vitin 2006, Edi Rama, zonën e klubit Partizani, në qershor ia ndryshon destinacionin pa asnjë kërkesë nga pronarët. Ia kishte vënë syrin për ta zhvilluar dhe grabitur vetë. Po, asnjë pronar nuk kishte paraqitur kërkesë për ndryshimin e destinacionit.
Edi Rama e ndryshon, e sjell pas gjashtë muajsh në Këshillin e Rregullimit të Territorit, i cili aktet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të qyteteve i firmos i detyruar nga ligji, sepse Kushtetuta thotë në mënyrë laksative se administrimi i territorit është autoritet i qeverive vendore.
Përveç kësaj, qeveria bëri një akt normativ. Ky akt normativ skadoi brenda 4 muajsh dhe qeveria nuk kishte asnjë tagër që të kthente apo të përmbyste vendimet e bashkive.
Edi Rama me një studio zvicerane, e quajtur UrboPlan, bëri planin e asaj zone, përsëri pa i pyetur pronarët, i shndërroi të gjitha fushat në zonë urbane dhe pallatesh. I miratoi në këshillin teknik, në këshillin bashkiak në vitin 2008 dhe filloi të japë lejet e ndërtimit.
Pasi humbi pushtetin Edi Rama në vitin 2011, pasardhësi i tij vendosi të bëjë planin e përgjithshëm rregullator të Tiranës, të cilin Edi Rama nuk e kishte bërë kurrë se e ndante me llokma. Pra, pronarët tani e kishin shesh ndërtimi. Edi Rama kishte dhënë leje ndërtimi.
Plani i përgjithshëm i rregullimit të territorit vjen në Këshillin Kombëtar të Rregullimit në vitin 2013. Ai nuk kishte të bënte me asnjë zonë të veçante, ai kishte të bënte me të gjitha zonat e Tiranës në tërësi. Si qytet. Dhe miratohet. Ai përsëri nuk mund të pësonte asnjë modifikim sepse ai nuk ishte miratuar vetëm në këshillin urbanistik, por në këshillin bashkiak të Tiranës, në parlamentin e Tiranës.