Pas ditëve me grip, Sali Berisha ka rikthyer këtë të premte konferencën me gazetarët. Ish-kryeministri u shpreh se pastruesja Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhenjtë dhe qeveria po përpiqet t’i mbyllë gojën. Berisha kërkon që Dobi të shpallet e penduar e drejtësisë dhe shton që paratë i ka marrë me ndihmën e Aldës që mund t’i ketë treguar vetë kodin e kasafortës.
“Janë bërë me dhjetëra kronika, raportime por një enigmë ku qëndron çelësi i të vërtetës nuk është trajtuar në dimensionin e duhur. Nuk është trajtuar raporti Rozeta Kasaforta. Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte ose i dha kodin e kasafortës në mirëbesim.
Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhenjtë. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën. Gjithçka është bërë dhe ajo është realisht e kërcënuar shumë. Thirrja ime është që të shpallet e penduar e drejtësisë, çka nuk ndodh se kjo e lemerit Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn”, tha Berisha.
