Sali Berisha vijon që të mos e pranojë humbjen e thellë dhe drastike në zgjedhjet lokale të 14 majit, dhe vijon me akuzuat ndaj kryeministrit Edi Rama. Sot tha se Rama ka vendosur një diktaturë bandash. Në një panel me ish-të përndjekur politikë ku u përkujtua Revolta e Spaçit Berisha e konsideroi si momentin më të rëndësishëm rikthimin e votes së lirë.
“Sot, Edi Rama nuk mund të vendosë një diktaturë klasike, siç ishte diktatura e etërve të tij. Por, në shumë aspekte, ai ka vendosur në Shqipëri një lloj diktature, më të keqen e të gjitha diktaturave. Forma më e keqe e diktaturave është diktaturave e bandave, që ka një kryebandit.
Janë të freskëta ngjarjet e ditës së diel, kur banditë të qeverisë kërcënuan me jetë, u treguan tytën e revoles njerëzve të lirë, për fajin e vetëm se do votonin të lirë. Se po organizonin një proces, që është detyrim kushtetues.Më keq se në një diktaturë ideologjike, dita e diel dëshmoi një shkrirje të plotë të Policisë së Shtetit me bandat.
Nuk ka tipar më të qartë të një regjimi diktatorial të bandave se kjo që ndodh. Është rasti që të gjejmë frymëzim, është rasti të përmbushim detyrimet tona, përndryshe pas tetë vitesh do kenë ikur edhe 1 milion tjetër shqiptarë dhe nuk do merret vesh kush mbetet. Edhe njëherë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për heronjtë e Spaçit, për familjet e tyre dhe për të gjithë ata shqiptarë dhe familjet e tyre që kaluan në diktaturën komuniste kalvarin më të egër që Europa ka njohur ndonjëherë në regjimin, të cilin e krahasuan me të drejtë si regjimi i Hitlerit të Europës pas luftës. Nderim përjetë atyre që luftuan dhe sakrifikuan”,-tha Berisha.
