Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur këtë të martë Kryesinë e Partisë Demokratike.
Në fjalën e tij, kryedemokrati foli për çështjen “McGonigal” dhe lidhjen e kryeministrit Edi Rama me ish-agjentin e FBI-së. Sipas tij, shefi i qeverisë tentoi të shuajë pluralizmin në vend.
“Mblidhemi sot në një moment të pashembullt, të jashtëzakonshëm, në një kohë kur për shkak të akteve mirëfilltës antishqiptare, antidemokratike e antikombëtare të Edi Ramës, Shqipëria ndodhet në qendër të një cikloni të fuqishëm mediatik botëror. Vizitat private në Shqipëri, takimet e fshehta të McGonigal me Edi Ramën, angazhimi i tij me pagesë për të sharruar shtyllën kryesore të rendit demokratik, pluralizmi , për hir të pushtetit të Edi Ramës, është një krim i përmasave makabre. Veprim i barabartë me një grusht shteti kur puçistët vendosin të shuajnë pluralizmin. McGonigal është në një hetim të gjithanshëm në SHBA, u përket autoriteteve amerikane të qartësojnë lidhjet e tij me rusët. Lidhjet e tij janë më të turpshmet në historinë e këtij vendi.”
Ai shtoi se Rama “kontraktoi” Charles McGonigal për të ndihmuar miqtë e tij të shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“McGonigal është në hetim të gjithanshëm në SHBA, i përket autoritetet amerikane për të zbuluar lidhjet me Deripaskën dhe të tjerë. Por lidhjet me Edi Ramën janë më të turpshme. Mark Rossini bënte akuza kundër meje, McGonigal nuk është me duar jashtë por ajo që është publikuar, është se me 4 janar të 2018, ish-oficeri i sigurimit të shtetit Agron Neza i dha informacione për kompaninë lobiste të PD. Pra del e qartë se fuqia e institucionit më të fuqishëm të fushës në SHBA u përdor për qëllime private nga Edi Rama duke korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI. McGonigal u përdor gjithashtu edhe për afera korruptive të tjera; për licenca, ai u shpërblye me qindra dhe miliona euro. Ai u angazhua nga Edi Rama për të ndihmuar miqtë e tij të ngushtë, Vangjush Dakon, Tom Doshin të shpallur non grata nga DASH. Dëshmoj se mafia në pushtet, përbën pushtetin më të rrezikshëm, mafia në pushtet përbën një pushtet të rrezikshëm edhe për SHBA.Mafia e Tiranës në pushtet është rrezik madhor jo vetëm për shqiptarët por edhe për SHBA. Ju garantoj McGonigal-ër, në nivele të tjera, ka edhe të tjerë në Europë dhe në SHBA.