Kreu i PD-së, Sali Berisha në takimin me krerët e degëve të Tiranës, nuk hezitoi të sulmonte kryeministrin Edi Rama, të cilin e fajëson për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se nëse opozita do të ishte në lartësinë e duhur, Rama sot nuk do të qëndronte në pushtet, por pas hekurave të burgut.
“Sa do të lejojmë ne që të vidhen, të varfërohen në këtë mënyrë qytetarët shqiptarë, ne jemi përgjegjës. Nëse opozita do të kishte qenë në lartësinë e duhur, në misionin e vet, Edi Rama s’do të ishte kurrë sot në pushtet, do të ishte në burg për vjedhjen që ka bërë. I dënuar ndoshta edhe 50 vjet duke i mbledhur së bashku. Kjo është e vërteta. Ky është realiteti. Ne kemi humbur kohë, por duhet t’ju jemi mirënjohës qytetarëve të cilët dëshmuan se janë për opozitë të vërtetë dhe u përgjigjën me besimin se ne jemi opozitë e vërtetë, ne do t’i mbrojmë interesat e tyre.”
Berisha gjithashtu porositi kryetarët e degëve që të dalin në terren dhe të takojnë qytetarët, të bëjnë takime në çdo fshat e qytet gjatë verës, pasi, sipas tij, shqiptarët mezi po presin të ngrihen në protesta.
