Ish-kryeministri Sali Berisha po zhvillon pasditen e kësaj të hëne një takim me fermerët në zonën e Belshit.
Gjatë bashkëbisedimit për situatën në të cilën ato ndodhen, kryetari i demokratëve ngriti shqetësimin se mundi dhe puna e fermerëve është në rrezik, ashtu si e gjithë Shqipëria.
“Të nderuar drejtues të PD-së dhe qytetarë, kam ardhur me shumë kënaqësi për të diskutuar me ju, në një moment që ne e konsiderojmë se realisht, Shqipëria është në rrezik dhe se ajo sot ka nevojë urgjente nga ne për shpëtimin e saj. Kur them Shqipëria është në rrezik, unë do ndalem vetëm këtu. Shqipëria është në rrezik sepse puna juaj është në rrezik. Prodhimet tuaja janë në rrezik. Kjo është një e vërtetë e dhimbshme dhe e pamohueshme. Ka një prapaktheu të madh dhe të frikshëm në sektorin e bujqësisë, i cili tejkalon çdo sektor tjetër në kontributin e tij në prodhim, por edhe në punësim dhe mirëqenie të familjeve shqiptare.”
Ai shtoi më tej se qeveria e Edi Ramës i përçmon fermerët, duke rritur importet nga Serbia.
“Vetëm nga vjet gjer sivjet janë 39 mijë tonë qumësht më pak i prodhuar. Statistikë zyrtare kjo. Ka një rënie të madhe të eksporteve bujqësore. Ka një rritje të importeve nga Serbia. Ka një përçmim në një farë mënyre të punës dhe potencialeve tuaja. Si e bën qeveria këtë? Qeveria e bën me një sistem fiskal i cili shkelmon mbi të drejtat tuaja ligjore. Me asgjësimin e subvencioneve. Me një qëndrim ndaj eksportuesve.”