Ish-kryeministri Sali Berisha në bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë u shpreh se demokratët kurrë nuk kanë pasur armik më të egër se Edi Rama.
Ai shton se në 10 vitet e opozitës, rregullat bazë të demokracisë, ku pushteti dhe opozita rivalizojnë në kushte normale me alternativat e tyre, u zhdukën.
“Kur Edi Rama erdhi në pushtet, i them në parlament: zotëri, lidhjet tua me krimin i njeh e gjithë bota, janë universalisht të njohura, por shqiptarët të amnistuan sepse të votuan. Dhe tani çdo gjë do përcaktohet fati i vendit, i demokracisë, se çfarë do të bësh ti me këto lidhje. Do i presësh ato me gërshërët e ligjit, vendi do të ecë. Shqipëria do ecë përpara. Por nëse përdor pushtetin për t’i fuqizuar ato lidhje, për të shtrirë pushtetin e tyre mbi qytetarët, kjo do jetë katastrofë kombëtare. Dhe e dyta ndodhi. Ju jeni dëshmitarë se vota juaj nuk vlen më për rotacionin. Po pse? Sepse ai është i betuar të mos dorëzojë me çdo kusht dhe çdo çmim pushtetin.
Ai ka dëshmuar një urrejtje jo më të pakët për aq sa ka në dorë, sa nazistët ndaj hebrenjve. Ai do t’u thotë ju, demokrate e demokratë, të cilët u ngritën me sakrifica të mëdha, me guxim e trimëri, e morët Shqipërinë në supe, e anëtarësuat në NATO, e nxorët nga honet e mjerimit dhe varfërisë dhe po ecte në një rrugë normale zhvillimi. Ai do t’u thotë ju se nuk jeni demokratë, njëlloj si nazistët që u hiqnin emrat hebrenjve dhe u jepnin një numër. Dhe do t’u thotë se nuk jeni demokratë, por ju jeni Lulzim. Se unë Bravën e kam në xhep. Demokrate e demokratë, në tërë historinë që nga dita e themelimit gjer sot, ne nuk kemi përballë një armik më të egër, më çnjerëzor se Edi Ramën. Është në detyrën tonë, në detyrimin tonë t’i themi armikut, armik dhe t’i qëndrojmë armikut si armik.”
