Kryedemokrati Sali Berisha ka marshuar në mbyllje të protestës te Kryeministria, para Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës. I shoqëruar nga qindra protestues, ish-kryeministri ka dhënë dhe një mesazh “të koduar”, pas thirrjes për protestë tjetër të hënën.
“Erdhëm këtë për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi. Ai është anëtar familjar i familjes, duhet të japë urgjentisht dorëheqjen. Ky marshim është paqësor, por ky ka objektivat e veta taktike dhe strategjike. Sot kaluam para Parlamentit. Ditën e hënë revolucioni është para Parlamentit”, u shpreh ai.
Protesta e sotme u mbyll pa incidente, përveç disa tymueseve dhe molotovëve që u hodhën në shkallët e Kryeministrisë, por nuk dihet se çfarë do të ndodh të hënën. Nëse fjala e tij ishte një mesazh për akte “revolucioni”. Në fund, Sali Berisha u ndal dhe te Bashkia e Tiranës.
“Në këtë zyrë është një nga hajdutët më të shpifur, më të neveritshëm që ka patur kryeqyteti ndonjëherë. Erion Veliaj është një nga hajdutët më të shpifur, i pafytyrë, vjedh ditën dhe natën qytetarët shqiptarë. Nuk ka të drejtë të hyjë asnjë ditë në këtë ndërtesë.”

