Besimi në ekonomi ka hyrë në vitin 2026 me një sinjal të fortë pozitiv nga ana e bizneseve, ndërsa konsumatorët vijojnë të mbeten më të rezervuar për perspektivën financiare dhe ekonomike. Të dhënat më të fundit të Vrojtimit të Besimit të Biznesit dhe Konsumatorit, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të klimës ekonomike në muajin janar, i nxitur kryesisht nga të gjithë sektorët e aktivitetit prodhues dhe shërbimeve.
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike mbi mesataren historike
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 4.2 pikë në janar 2026, duke u pozicionuar rreth 10 pikë mbi mesataren afatgjatë historike. Ky është një nga nivelet më të larta të regjistruara vitet e fundit dhe reflekton një përmirësim të përgjithshëm të perceptimit të bizneseve për aktivitetin aktual dhe pritjet në afat të shkurtër.
Rritja e TNE-së u mbështet nga përmirësimi i besimit në të katër sektorët kryesorë të ekonomisë: industri, ndërtim, shërbime dhe tregti, ndërkohë që besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin dhjetor.
Industria dhe shërbimet udhëheqin optimizmin
Besimi në sektorin e industrisë u rrit me 4.8 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 7 pikë mbi mesataren historike. Ky përmirësim lidhet me vlerësime më optimiste për prodhimin industrial, kontratat porositëse dhe eksportet, ndërsa pritjet për çmimet në të ardhmen kanë ardhur në rritje, sinjal që reflekton presione potenciale nga ana e kostove.
Ndërkohë, sektori i shërbimeve shënoi rritjen më të fortë mujore të besimit, me +7.4 pikë përqindje, duke u pozicionuar rreth 13 pikë mbi mesataren historike. Bizneset raportojnë rritje të kërkesës dhe një ecuri më të mirë të aktivitetit aktual, ndërsa pritjet për çmimet kanë mbetur të pandryshuara.
Ndërtimi dhe tregtia në territor dukshëm pozitiv
Besimi në sektorin e ndërtimit u rrit me 3.1 pikë përqindje dhe aktualisht qëndron rreth 15 pikë mbi mesataren historike, një nivel që e klasifikon situatën strukturore si “shumë të kënaqshme”. Përmirësimi lidhet si me aktivitetin aktual ndërtues, ashtu edhe me porositë, ndërsa pritjet për çmimet kanë shënuar rënie.
Edhe tregtia ka vijuar përmirësimin, me një rritje të treguesit të besimit prej 4.4 pikë përqindje. Bizneset raportojnë rritje të shitjeve aktuale dhe pritje më pozitive për punësimin, ndërkohë që pritjet për çmimet janë rritur lehtë, duke reflektuar kërkesë më të fortë konsumatore në disa segmente.
Konsumatorët,përmirësim i kujdesshëm, por pa optimizëm të plotë
Ndryshe nga bizneset, besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar në janar, duke qëndruar vetëm 1.4 pikë mbi mesataren historike. Edhe pse situata e blerjeve të mëdha ka shënuar përmirësim, konsumatorët kanë ulur pritjet për gjendjen e tyre financiare dhe për situatën ekonomike në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, pritjet për papunësinë mbeten relativisht të qëndrueshme, ndërsa perceptimi për çmimet aktuale vijon të jetë i lartë, element që vazhdon të ndikojë negativisht në ndjesinë e përgjithshme të konsumatorëve.
Sinjale pozitive për aktivitetin ekonomik në fillimviti
Në tërësi, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë sugjeron se ekonomia shqiptare ka hyrë në vitin 2026 me një bazë më të fortë besimi nga ana e bizneseve, veçanërisht në sektorët që gjenerojnë rritje ekonomike dhe punësim. Megjithatë, hezitimi i konsumatorëve sinjalizon se përmirësimi i klimës ekonomike ende nuk është përkthyer plotësisht në siguri financiare për familjet, duke mbetur një element kyç për ecurinë e kërkesës së brendshme në muajt në vijim. /ekofin.al
