Zbardhen detaje nga seanca për masat që GJKKO do të komunikojë sot për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila dy ditë më parë u pezullua nga detyra dhe iu bllokua pasaporta. Gazetarja Klodiana Lala pohoi se në seancën që po mbahet me dyer të mbyllura, ka debate të forta, ndërsa prokurori i çështjes këmbëngul se duhet të qëndrojnë në fuqi masat e dhëna.
Madje ajo pohoi se prokurori Dritan Prençi ka deklaruar se ka prova të reja për këtë proces.
“Kjo është beteja ligjore për ‘jetë a vdekje’ për Ballukun”, tha gazetarja. Kujtojmë se seanca nisi në orën 09:10, ndërsa pas 40 minutash u ndërpre, për të rinisur sërish. Sakaq, prej disa orësh Balluku, e shoqëruar nga dy avokatët e saj ndodhet në GJKKO, bashkë me dy vartësit e saj, Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, ndaj të cilëve u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Pritet që seanca të zgjasë disa orë.
