Ashtu si çka ndodhur shpesh në mbledhjet e fundit, edhe në atë të sotmen ka patur debate të forta brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri ka bërë që të lindë një tjetër përplasje mes Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt.
Mirëpo, ndërsa diskutohej për përzgjedhjen e emrit të ri të kreut të shtetit, deputetja demokrate Ilda Dhori ka shprehur një tjetër shqetësim në këtë mbledhje.
Dhori iu drejtua Alibeajt duke e pyetur se çfarë po ndodh me faqen zyrtare të PD-së në Facebook, pasi aty nuk po afishohen deklaratat e tyre.
“Çfarë po ndodh me faqen zyrtare të Facebook të PD-së. Nuk publikohet asgjë, as fjalët e deputeteve ne Parlament, as diskutimet në komisione”, tha deputetja, kurse Alibeaj u përgjigj duke garantuar se ky problem do të zgjidhet shumë shpejt.
Kujtojmë se pasi Komisioni i Rithemelimit u fit në selinë e PD-së, mori kontrollin edhe të kanaleve të komunikimit. Grupi në Whatsapp i PD me gazetarët kontrollohet prej javësh nga “Rithemelimi”, ndërkohë që nuk kanë mundur të marrin faqen zyrtare në Facebook, me mbi 300 mijë ndjekës.
Komisioni i Rithemelimit ka hapur një llogari tjetër në Facebook me emrin “Partia Demokratike e Shqiperisë – Komisioni i Rithemelimit”, me mbi 4 mijë ndjekës.