Të paktën 13 të burgosur u vranë në një burg në Panama dhe 15 u plagosën, gjatë një sulmi mes ‘bandash’.
Sipas zyrtarëve të burgut, në skenën e krimit janë gjetur tre automatik sulmi AK-47 dhe pesë pistoleta.
Pas kësaj ngjarje të rëndë, presidenti Laurentino Cortizo, tha që do të fillojë një hetim se si armët u futën në burgun e La Joyita, në lindje të Panama City.
“Këto armë zjarri nuk binin nga qielli, padyshim që kishte një lloj bashkëpunimi atje për të futur armët e zjarrit,” tha ai. Të mërkurën, presidenti Cortizo tha se do të takohej me këshillin e tij të sigurisë, për të diskutuar se si të ndalohet që armët të kontrabandohen në burg.
“Është diçka për të cilën duhet të ndalemi. Disa javë më parë u krye një kontroll në burg dhe u gjetën armë dhe tani përsëri, kështu që dikush po i lëshon këto armë,” tha ai. Të shtënat filluan në orën 14:00 me kohën lokale (19:00 GMT) në bllokun e qelisë 14.
Zyrtarët e burgut thanë që të burgosurit janë vendosur në blloqe, sipas përkatësisë së tyre të bandave, ka raportuar BBC. Ndihmësi i drejtorit të Policisë Kombëtare të Panamasë, Alexis Muñoz, tha se shkaku ishte ndërmjet anëtarëve të së njëjtës bandë që kishin “një mosmarrëveshje të brendshme”.
Ndërsa La Joyita është famëkeqe për mbipopullimin, kjo është ndër luftërat më vdekjeprurëse të regjistruara në burg në vendin e Amerikës Qendrore.
